Nga David Hanscom MD
Të mbetesh pa punë mund të shkatërrojë sistemin nervor
Ekziston një lidhje e dokumentuar mes të qenët pa punë dhe shëndetit të dobët mendor. Papunësia mund të krijojë shqetësim të rëndë psikologjik dhe anasjelltas.
Mjekësia moderne shpesh dështon të marrë parasysh faktorët socialë gjatë trajtimit të pacientëve.
Largimi i dikujt nga puna ka pasoja të konsiderueshme.
Adresimi i faktorëve socialë duhet të bëhet shumë shpejt prioritet i sistemit shëndetësor.
Në vitin 2012, NBC News raportoi për një valë tronditëse vetëvrasjesh mes punëtorëve italianë të shkatërruar nga kriza ekonomike. Mesazhet që ata kishin lënë pas nuk ishin të ndërlikuara:
“Nuk mund të jetoj pa punë.”
“Jam një dështim.”
“Biznesi im është si familja ime. Nëse ai dështon, dështoj edhe unë.”
Këto nuk janë fjalët e njerëzve që thjesht humbën një pagë. Janë fjalët e njerëzve që humbën vetveten.
Si kirurg i shtyllës kurrizore për 33 vjet, autori thotë se për një kohë të gjatë e përjashtoi veten nga bisedat mbi shëndetin mendor. Në atë kohë, ai nuk e kuptonte se dhimbja kronike mendore dhe dhimbja fizike janë në thelb e njëjta gjë, që lind nga çrregullime në nivel qelizor. Ai besonte se çdo dhimbje ishte strukturore dhe se, nëse nuk identifikohej një burim anatomik, nuk kishte çfarë të bënte.
Puna ose ishte e mundur, ose jo. Kur nuk ishte, ai i largonte pacientët nga puna dhe mendonte se po i ndihmonte.
Kjo ishte gjithashtu më e lehtë sesa të merrej me detaje si puna me orar të reduktuar, detyrat e lehta apo ndërthurja e ndërlikuar mes jetës së një personi dhe diagnozës së tij. Ajo që nuk kuptoi për shumë gjatë ishte se largimi i një personi nga puna nuk është kurrë një akt neutral. Ai mund të jetë, dhe shpesh është, vetë një formë dëmtimi.
Ironikisht dhe tani shqetësueshëm për të, njerëzit me çdo lloj paaftësie shpesh etiketohen si “të vështirë”, “më pak të vlefshëm” apo si njerëz që nuk duan të rikthehen në punë. Ata shpesh largohen shpejt nga kujdesi mjekësor dhe ndihen të padëgjuar. Autori thotë se ishte mësuar të besonte se mënyra për të zgjidhur krizën e paaftësisë për punë ishte të bëhej më i ashpër dhe t’i shtynte njerëzit të riktheheshin në punë. Dhe ai e bëri këtë.
Rreth shtatë vite pas fillimit të praktikës së tij, ai kuptoi se një nga arsyet kryesore pse pacientët në paaftësi për punë shpesh bëheshin “të vështirë” ishte zemërimi i madh që ndienin nga fakti se ishin bllokuar mes dhimbjes dhe sistemit. Ndërsa shpresat e tyre shuheshin vazhdimisht pas çdo vizite tjetër mjekësore, dëshpërimi thellohej gjithnjë e më shumë. Për këtë arsye ai e quan këtë situatë “Humnera”, një vend shumë i errët ku nuk duket asnjë rrugëdalje.
Fatkeqësisht, gjatë 45 viteve në mjekësi, ai thotë se kjo situatë vetëm është përkeqësuar. Mjekët kalojnë më pak kohë me pacientët, rekomandojnë më shumë ndërhyrje joefektive dhe i kalojnë njerëzit më shpejt në status paaftësie. Por, në thelb, askush nuk dëshiron të shihet si i paaftë dhe i varur nga të tjerët. Njerëzit duan të dëgjohen dhe të shihen, dhe të etiketohesh si diçka tjetër përveç një qenieje njerëzore është shkatërruese. Historia e punëtorëve italianë që kryen vetëvrasje është vetëm një pjesë e këtij realiteti.
Neuroshkenca e ndjenjës së përkatësisë
Sistemi nervor i njeriut nuk është krijuar për izolim dhe mungesë qëllimi. Ai është krijuar për lidhje, kontribut dhe siguri.
Kur ndihemi të sigurt, vërtet të sigurt dhe jo thjesht të stabilizuar nga ana mjekësore, trupi kalon në një gjendje ku shërimi bëhet i mundur. Fiziologjia e kërcënimit bën të kundërtën: e mban organizmin në alarm të vazhdueshëm, e mbush trupin me hormone stresi, intensifikon sinjalet e dhimbjes dhe dobëson pikërisht aftësitë që nevojiten për rikuperim.
Në formën e saj më të mirë, puna është një nga sinjalet më të fuqishme të sigurisë që kemi. Ajo krijon strukturë, lidhje sociale, ndjenjë kompetence dhe stabilitet ekonomik, elemente që sistemi nervor i interpreton si prova se bota nuk është e rrezikshme.
Kur këto sinjale zhduken, truri nuk regjistron thjesht mungesën e tyre. Ai e interpreton boshllëkun si kërcënim.
Pikërisht për këtë arsye izolimi social prodhon simptoma kronike mendore dhe fizike që shpesh nuk identifikohen në analizat tradicionale. Aktivizohen qarqet neurologjike të rrezikut dhe shtigjet e shqetësimit emocional.
Për sistemin nervor ka më pak rëndësi nëse përvoja etiketohet si “vetmi” apo “dhimbje shpine”. Sinjali bazë është i njëjtë: diçka nuk shkon dhe nuk jam i sigurt.
Çfarë konfirmojnë sot studimet
Një studim i madh australian i publikuar në BMC Public Health analizoi 369 persona të përfshirë në programin kombëtar të punësimit për personat me aftësi të kufizuara, ku pothuajse gjysma kishin si problem kryesor depresionin, ankthin, PTSD apo psikozën.
Rezultatet ishin të qarta. Ata që punonin kishin nivele dukshëm më të larta të shëndetit mendor dhe mirëqenies sesa ata që nuk punonin. Diferenca nuk ishte e vogël. Te personat me probleme psikologjike, rezultati i shëndetit mendor ishte 47.5 për ata që kishin punë, krahasuar me 36.9 për ata pa punë, një diferencë me rëndësi reale klinike dhe jo vetëm statistikore.
Por studimi bëri diçka edhe më të rëndësishme sesa konfirmimi i asaj që dyshohej prej kohësh. Ai ngriti një pyetje më të vështirë: çfarë marrëdhënieje krijojnë njerëzit me procesin e shërimit kur sistemi i mbështetjes ose i ndihmon, ose i dështon?
Përmes intervistave të thelluara, studiuesit identifikuan pesë histori të ndryshme, pesë mënyra sesi njerëzit përjetojnë lidhjen mes shëndetit mendor, punës dhe mbështetjes që marrin.
Disa njerëz u rikuperuan pavarësisht sistemit, duke gjetur punë falë vendosmërisë së tyre, ndërsa strukturat formale të mbështetjes u krijonin pengesa. Të tjerë u rikuperuan falë sistemit, kur patën fatin të takonin njerëz që i dëgjonin, përshtateshin me nevojat e tyre dhe i trajtonin si qenie njerëzore të plota, jo si objektiva statistikore për punësim.
Të tjerë vazhdonin rikuperimin në një rrugë të paqëndrueshme, të lidhur me shpresën se një ditë puna do të bëhej sërish e mundur. Ndërsa për disa të tjerë, vetë sistemi pengonte rikuperimin: punë të papërshtatshme, mungesë informacioni dhe marrëdhënie përçmuese rëndonin edhe më shumë barrën e problemeve mendore.
Historia më e zakonshme nga të gjitha ishte thjesht mbijetesa: njerëz të rraskapitur, të bllokuar në sisteme që nuk ishin ndërtuar për ta, duke u përpjekur vetëm të mos fundosen.
Studimet sot po konfirmojnë atë që punëtorët italianë e kishin kuptuar instinktivisht prej kohësh.
Cilësia e punës dhe mbështetjes ka rëndësi
Jo çdo punë shëron. Puna që nuk përputhet me aftësitë dhe vlerat e një personi, puna e pasigurt apo ajo që përfshin bullizëm dhe mungesë kontrolli, mund ta përkeqësojë shëndetin mendor.
Studimi australian tregoi se njerëzit që punonin më shumë ose më pak orë sesa dëshironin, apo ata me kontrata të përkohshme në vend të atyre të qëndrueshme, kishin nivele më të ulëta mirëqenieje sesa ata me punë të qëndrueshme dhe të përshtatshme për ta.
Ajo që dallonte vazhdimisht përvojat ndihmuese nga ato të dëmshme nuk ishte programi, modeli i financimit apo burokracia. Ishte marrëdhënia njerëzore.
Punonjësit që merrnin kohë për të kuptuar historinë e një personi, për të dëgjuar aspiratat e tij, për të pranuar frikërat dhe për t’iu përgjigjur me fleksibilitet dhe respekt, ndihmonin rikuperimin. Ata që i vendosnin njerëzit në punë të papërshtatshme, fshehnin burimet në dispozicion apo komunikonin përmes presionit dhe autoritetit, jo.
Pika e verbër e mjekësisë
Kur autori mendon për pacientët që i largoi nga puna pa kuptuar plotësisht pasojat, ai pranon se po trajtonte vetëm një fragment të personit dhe jo tërësinë e tij.
Mjekësia moderne është jashtëzakonisht efektive në ndërhyrjet akute, por shumë e papërgatitur për të përballuar forcat sociale dhe mjedisore që ndikojnë pjesën më të madhe të sëmundjeve kronike.
Varfëria, izolimi, pasiguria e strehimit, ambientet toksike të punës dhe traumat e vazhdueshme nuk janë faktorë dytësorë. Ato janë ndër shkaqet kryesore që përcaktojnë nëse sistemi nervor do të vazhdojë të jetojë në alarm apo do të kalojë drejt sigurisë dhe shërimit.
Faktorët socialë të shëndetit përbëjnë rreth 80% të sëmundjeve kronike. Këtu përfshihen varfëria, mungesa e mundësive, ambientet shtypëse të punës, abuzimi fizik, emocional apo seksual, paqëndrueshmëria sociale, mungesa e strehimit, bullizmi, rrjetet sociale, ekspozimi i tepërt ndaj tyre, mungesa e mbrojtjes policore dhe autoritarizmi.
Nëse të ardhurat vjetore të një personi në SHBA janë më pak se 40 mijë dollarë, incidenca e çrregullimeve të ankthit arrin në 100%.
Të përpiqesh të shërosh dikë duke injoruar mjedisin ku jeton nuk është thjesht qasje e paplotë. Shpesh është kundërproduktive. Trupi nuk mund të trajtohet si sistem i mbyllur kur ai reagon vazhdimisht ndaj një bote të hapur përreth tij.
Puna është ilaç.
Por si çdo ilaç tjetër, edhe ajo mund të shërojë ose të dëmtojë, në varësi të dozës, cilësisë dhe mënyrës si përjetohet nga personi që e merr, nëse ai ndihet si një rast që po përpunohet apo si një qenie njerëzore që dëgjohet dhe mbështetet.
Mjekët nuk po trajnohen për të njohur apo adresuar këto probleme sociale, as individualisht dhe as kolektivisht. Sistemi mjekësor praktikisht ka hequr dorë nga kjo përgjegjësi.
Sistemet tona mjekësore, profesionale dhe sociale duhet urgjentisht të fillojnë t’i trajtojnë njerëzit si qenie njerëzore, brenda rrethanave reale të jetës së tyre.
Jo një ditë në të ardhmen. Tani./Monitor
