Një mundësi e pazakontë pune po tërheq vëmendjen e atyre që ëndërrojnë të udhëtojnë, të zbulojnë vende të reja dhe njëkohësisht të paguhen për këtë përvojë. Finlanda po kërkon një person me nuhatje të zhvilluar dhe aftësi të mira komunikimi, i cili do të ketë si detyrë të eksplorojë aromat e ishujve të saj.

Oferta parashikon një shpërblim prej 2 mijë eurosh dhe akomodim falas për shtatë ditë pune, gjatë periudhës maj-qershor. Megjithatë, shpenzimet e udhëtimit drejt ishujve të Turkut duhet të mbulohen nga vetë kandidati.

Detyra e personit të përzgjedhur do të jetë të zbulojë, përshkruajë dhe dokumentojë aromat karakteristike të zonës, nga era e detit dhe pyjet me pisha, deri te buka e sapopjekur, tymi i oxhaqeve dhe ndryshimet që sjell era.

Por nuk mjafton vetëm një nuhatje e mirë. Organizatorët kërkojnë dikë që di t’i përshkruajë aromat në mënyrë krijuese dhe të përcjellë përmes fjalëve ndjesitë që ato shkaktojnë.

Kandidati do të jetë përgjegjës edhe për realizimin e fotografive dhe videove për rrjetet sociale, me qëllim promovimin e Turkut si një destinacion turistik me aroma të veçanta. Për të aplikuar, kandidatët duhet të jenë mbi 18 vjeç, të ndihen rehat përpara kamerës dhe të kenë pajisjet e tyre për regjistrimin e videove.

Të interesuarit duhet të publikojnë një video të shkurtër në Instagram ose TikTok, ku nuhasin një objekt dhe përshkruajnë aromën e tij. Videoja duhet të përmbajë etiketimin @saaristo_finland dhe hashtagun #SaaristoNoseJob. Më pas, kandidatët duhet të plotësojnë formularin online të aplikimit.

Afati i fundit për aplikim është 25 tetori 2026, ndërsa fituesi do të shpallet më 17 nëntor. Arkipelagu i Turkut, i njohur në Finlandë si Saaristo, përfshin më shumë se 40 mijë ishuj në brigjet jugperëndimore të vendit. Me peizazhe natyrore, pyje dhe hapësira të qeta, ky destinacion synon të tërheqë vizitorë përmes një përvoje turistike që këtë herë nuk mbështetet vetëm te pamjet, por edhe te aromat.