Këngëtarja e njohur amerikane, Meghan Trainor, ka reaguar ndaj kritikave të shumta që mori pasi zbuloi se fëmija i saj i tretë kishte ardhur në jetë përmes një nëne zëvendësuese. Artistja tregoi se reagimet negative në rrjete sociale e kanë prekur emocionalisht deri në atë pikë sa, siç tha ajo, “qante çdo natë”.

Në një intervistë në podkastin “Not Gonna Lie”, këngëtarja rrëfeu përvojën e saj gjatë këtij procesi dhe marrëdhënien e afërt që kishte me nënën zëvendësuese. Ajo theksoi se ishte në komunikim të vazhdueshëm dhe se kjo përvojë i kishte dhënë mundësinë të ishte më e pranishme në kujdesin për foshnjën, pa kaluar vështirësitë fizike të një lindjeje me operacion cezarian.

Pas njoftimit publik për ardhjen në jetë të vajzës së saj, dhe zbulimit se ajo kishte lindur përmes një nëne zëvendësuese, këngëtarja tha se u përball me një valë kritikash dhe komentesh negative në internet.

“Mendova: ‘Tani ata më urrejnë, nuk do t’ua pëlqejë kjo’”, u shpreh ajo, duke shtuar: “Ishte si një re lotësh çdo natë nga shqetësimi. Nuk doja që njerëzit të sulmonin vajzën time për mënyrën se si erdhi në këtë botë.”

Ajo shtoi se mbështetja e ekipit të saj dhe e terapistit e ndihmuan të përballonte këtë periudhë të vështirë. Gjithashtu, bashkëshorti i saj, aktori Daryl Sabara, e ka inkurajuar duke i thënë se fansat e vërtetë do të qëndrojnë gjithmonë pranë saj.

Trainor i cilësoi këto reagime si të pakuptueshme dhe theksoi se zgjedhja për të zgjeruar familjen përmes një nëne zëvendësuese ishte vendimi më i shëndetshëm dhe i sigurt për të dhe familjen e saj.

Çifti ka tashmë tre fëmijë, përfshirë vajzën tre muajshe dhe dy djem.