Gazetarja dhe moderatorja, Aulona Musta, ishte e ftuara e radhës në podcastin e Grida Dumës, ku zhvilloi një nga bisedat më personale të viteve të fundit.

Me sinqeritetin që e karakterizon, ajo foli për lumturinë, mënyrën si ka ndërtuar jetën e saj, raportin me komentet në rrjetet sociale, frikën që përjetoi kur dyshoi për një problem serioz shëndetësor, karrierën në media, martesën dhe vajzën e saj.

Gjatë kësaj interviste, Aulona rrëfeu edhe një nga momentet më të vështira të jetës së saj, ku disa analiza ngritën dyshime për një tumor. Ajo tregon emocionet, frikën dhe periudhën e gjatë të vizitave e kontrolleve, deri në marrjen e përgjigjeve përfundimtare.

“Halli im ishte kur para dy muajsh unë bëra vizitën time rutinë te gjinekologu. Para dy muajsh domethënë bëra ndërhyrjen, para një viti bëra kontrollin rutinë dhe më dolën disa qeliza të dyshimta, të cilat më kishin dalë dhe para 10 vitesh ku unë bëra një ndërhyrje. Duke qenë se unë kam historik në familje, të gjyshes sime që ka ndërruar jetë nga tumori në qafën e mitrës, unë duhet të jem gjatë gjithë kohës në kontroll. Patjetër që për mua ishte një periudhë ankthi. Një vit që duhej t’a kisha nën kontroll dhe pastaj të shikonim, qelizat filluan duke u shtuar dhe më pas bëra biopsinë. Pra, askush nuk e dinte në rrjetet e mia sociale, aty vazhdoja e dilja me rroba banje, vazhdoja të isha Aulona që shkon me pushime, Aulona që bën humor. Nuk është se ishte hipokrizi dhe jeta ime e përditshme kështu ishte. Unë edhe momentin tim më të vështirë, momentet më të vështira, zgjedh t’i përjetoj në këtë mënyrë”, tregoi Aulona Musta.