I njohur edhe si Chaouen apo Perla Blu e Marokut, Chefchaouen është një nga qytetet më fotogjenike dhe më të veçanta në botë. I gjithë qyteti është i lyer në nuanca të ndryshme blu. Chefchaouen nuk është një destinacion i zakonshëm turistik. Nuk ka muze madhështorë apo monumente të famshme për t’u vizituar. Në çdo qoshe, dritare, apo derë, gjendet një detaj i vogël që të fton ta fotografosh. Qyteti është bërë një nga më të publikuarit në rrjetet sociale, duke fituar pseudonimin “Parajsa e Fotografëve”.
Arsyeja e vërtetë mbetet një mister, por ekzistojnë disa teori. Një prej tyre thotë se në shekullin XV, refugjatët hebrenj e lyen qytetin me ngjyrë blu për të simbolizuar qiellin dhe parajsën, një mënyrë për t’u ndier më afër Zotit. Një tjetër teori thotë se ngjyra e blusë mban larg mushkonjat, të cilat shmangin sipërfaqet që ngjajnë me ujë. Disa besojnë se bluja ndihmon edhe për të mbajtur freski gjatë verës së nxehtë marokene.



