Një nga bashkëthemeluesit britanikë të gjigantit të modës online Asos, Quentin Griffiths, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare pasi ra nga ballkoni i apartamentit të tij në Pattaya, Tajlandë. Sipas burimeve, Griffiths dyshohet se ka rënë nga kati i 17-të i godinës ku banonte. Shërbimet e emergjencës e gjetën trupin e tij në tokë poshtë ballkonit.

Autoritetet thanë se brenda apartamentit nuk u gjetën shenja përplasjeje apo dhune, por shtuan se përfshirja e një pale të tretë nuk është përjashtuar, në pritje të rezultateve të analizave mjeko-ligjore. Shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të autopsisë, proces që mund të zgjasë disa muaj.

Ngjarja ndodh në një kohë kur Griffiths ishte përfshirë në një mosmarrëveshje ligjore me ish-bashkëshorten e tij tajlandeze. Ajo dyshohet se e kishte akuzuar për falsifikim dokumentesh lidhur me shitjen e tokës dhe aksioneve të një biznesi të përbashkët, akuza që ai i kishte mohuar. Hetimet për këtë çështje ishin ende në vijim në momentin e vdekjes së tij.

Një burim pranë familjes u shpreh për mediat britanike se rrethanat mbeten të paqarta. Quentin Griffiths ishte ndër themeluesit e Asos në vitin 2000, së bashku me Nick Robertson dhe Andrew Regan. Kompania u shndërrua në një nga shitësit më të mëdhenj globalë të modës online, me vlerë miliarda paund.