Lajmi për ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur shqiptar Shpat Kasapi ka prekur jo vetëm publikun në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe artistët shqiptarë në diasporë.
Mes tyre ka reaguar edhe këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha, e cila bëri një gjest të thjeshtë, por shumë domethënës në rrjetet sociale.
Artistja shqiptaro-amerikane publikoi në Instastory një video të Shpat Kasapit duke kënduar një këngë patriotike.

Krahas videos, ajo vendosi vetëm dy emoji: një pëllumb dhe flamurin shqiptar, si një simbol respekti, dhimbjeje dhe solidariteti për artistin e ndjerë.
Edhe pse prej vitesh jeton dhe vepron në SHBA, Bebe Rexha nuk i ka harruar rrënjët e saj shqiptare. Si ajo, ashtu edhe Shpat Kasapi, kanë origjinë nga komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut, çka e bën reagimin e saj edhe më personal dhe emocional.
Gesti i Bebe Rexhës është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe është vlerësuar si një shembull i unitetit mes artistëve shqiptarë, të cilët, pavarësisht distancës, qëndrojnë pranë njëri-tjetrit si në momente suksesi, ashtu edhe në ditë zie.
Shpat Kasapi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, pasi sipas mediave fqinje pësoi një atak kardiak gjatë qëndrimit në Itali.
I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore dhe u bë një nga emrat më të dashur të skenës shqiptare që në fillim të viteve 2000.
Me këngë si “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj” dhe shumë të tjera, Shpat Kasapi u kthye në idhull të rinisë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën moderne shqiptare.
Në vitin 2021 ai u martua me Selvije Jaon, me të cilën ka një djalë, por çifti u nda rreth një vit më parë.
