Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë në Francë, ku një djalë 9-vjeçar u mbajt i izoluar për më shumë se një vit në një furgon nga babai i tij. Fëmija u gjet më 6 prill në Hagenbach, në verilindje të Francës, i zhveshur, i kequshqyer dhe i paaftë për të ecur, pasi kishte kaluar muaj të tërë në kushte çnjerëzore.

Sipas autoriteteve, djali u zbulua pas denoncimit të një fqinji që dëgjoi zëra fëmije nga automjeti. Kur policia ndërhyri, e gjeti të shtrirë në pozicion fetal, të mbuluar me një batanije mbi mbeturina dhe pranë jashtëqitjeve njerëzore. Brenda furgonit, ai kishte vetëm disa rroba dhe shishe bosh për nevojat personale.

Në dëshminë e tij para hetuesve, fëmija ka fajësuar njerkën, duke e quajtur armikja ime më e madhe dhe një grua e keqe. Sipas tij, ajo kërkonte ta largonte nga jeta e tyre dhe ta dërgonte në një spital psikiatrik, ndërsa babai vendosi ta mbyllte në furgon për ta fshehur. Babai 43-vjeçar ka pranuar krimin, ndërsa njerka 37-vjeçare mohon çdo përfshirje. Hetimet vijojnë, ndërsa rasti ka shkaktuar tronditje të fortë në opinionin publik francez.