Aktori Mattew McConaughey zbuloi se dikur kishte refuzuar një ofertë prej 14.5 milionë dollarësh sepse nuk donte të luante më në komedi romantike. Gjatë paraqitjes së tij në podcastin “Ditari i një CEO-je”, ai shpjegoi pse vendosi të ndërmerrte këtë hap. “Po merrja sasi, por jo cilësi. Ajo që dua të bëj është dramë, por Hollywoodi nuk ma ofron atë, pavarësisht se sa ulje page pranoj”, tha ai. Përpara se të përqendrohej në drama, ai luajti në komedi romantike si “How to Lose a Guy in 10 Days”, “Failure to Launch”, “Fool’s Gold” dhe “Ghosts of Girlfriends Past”.

“Nëse nuk mund të bëj atë që dua, do të ndaloj së bëri atë që kam bërë deri më tani. Vendosa të shkoj në pronën time në Teksas. I thashë agjentit tim: ‘Mjaft me komeditë romantike’”-tha ai. Ai bëri një pushim dyvjeçar nga aktrimi dhe ofertat u bënë gjithnjë e më të pakta derisa iu ofruan tetë milionë dollarë për një komedi. “E lexova. Thashë, ‘Jo, faleminderit. Nuk do ta bëj këtë.’ Ata u kthyen me një ofertë prej 10 milionë dollarësh. ‘Nuk do ta lexoj përsëri. Jo, faleminderit.’ Ata u kthyen me një ofertë prej 12 milionë dollarësh. ‘Djema, u thoni atyre që thashë, ‘Jo, faleminderit.’ Ata u kthyen me një ofertë prej 14.5 milionë dollarësh. Unë thashë, ‘Më lejoni ta lexoj përsëri,’”-tha ai.

Ai deklaroi më tej se këto ishin të njëjtat fjalë që ishin në ofertën prej 8.5 milionë dollarësh, vetëm të shkruara më mirë. “Ishte më qesharake. Mund ta shihja veten në të. Mund ta bëja të ndodhte. Sidoqoftë, në fund thashë, ‘Jo’”, tha ai. Ai beson se ky vendim ia vlejti sepse kolegët e tij filluan ta merrnin më seriozisht kur u kthye në Hollywood.