Sjellja paksa e ‘ftohtë dhe e çuditshme’ e Zonjës së Parë franceze, Brigitte Macron, gjatë vizitës së saj shtetërore në Britani ka një shpjegim shumë të trishtueshëm. Është bërë e ditur se motra e saj ka ndërruar jetë vetëm pak ditë para udhëtimit të 72-vjeçares.
“Daily Mail” shkruan se Brigitte Macron humbi motrën e saj, Anne Marie Trogneux, javën e kaluar. E pavarësisht kësaj dhimbjeje, ajo vendosi që të shoqëronte bashkëshortin, presidentin Emmanuel Macron, në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kjo është arsyeja kryesore se pse zonja Macron është dukur kaq e përmbajtur dhe e pakëndshme me bashkëshortin e saj. Ajo e adhuronte motrën dhe humbja e saj e ka prekur shumë”, ka thënë një burim pranë çiftit.
Sipas burimit, 72-vjeçarja pranoi se ishte detyra e saj të ishte në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se përkonte me një periudhë zie.
Kujtojmë se komentet rreth mënyrës së qëndrimit të Brigitte Macron nisën kur çifti po zbriste nga avioni, të martën. Ajo u duk sikur injoroi bashkëshortin e saj, teksa ky i fundit i zgjati dorën dhe ajo e refuzoi t’a kapte.