Rrëfimi i fëmijëve të ikonave të humorit shqiptar ishte tema e mbrëmjes së djeshme në emisionin “Top Story”, në Top Channel. I ftuar në panel ishe aktori i njohur i humorit, Julian Deda, i cili ka folur për babain e tij të ndjerë, Zef Deda.

I pyetur nga Grida Duma në lidhje me krahasimin që i kanë bërë atij me babain, Juli u shpreh:

“Unë besoj se kam prodhuar një format artisti krejt tjetër nga ai, më i mirë apo më i keq është diçka tjetër, nuk e diskutoj këtë. Unë jam ndryshe nga ai. E para se ai ishte një qenie e talentuar, unë nuk jam një qenie e talentuar në 100 për qind të qenies sime. Pse? Ai këndonte, luante çdo vegël, kishte vesh muzike, unë nuk jam nga këto. Unë jam aktor, kam një profil timin.

Nuk ka asnjë lloj krahasimi mes meje dhe atij në profesion të paktën. E bëjnë krahasimin se normalisht nga e njëjta familja, i biri, i ngjan si ngjan, dikush i thotë i ngjan shumë, dikush thotë nuk i ngjan fare. Gjithmonë na kanë krahasuar dhe unë këtë e kam pritur, por nuk më ka penguar aspak kjo histori, thjesht më ka bërë më të kujdesshëm.

Ai ka qenë akoma në profesion, në aktivitet, kur unë e fillova këtë punën. Detyra ime kryesore ishte të ruaja këtë që kishte ndërtuar ai, se thashë se këtu ça nuk ndodh. Ishin mësuar që pasurinë e babait e prish i biri. Por në këtë kuptim unë u tregova shumë i kujdesshëm po nuk ka qenë shumë e menduar, por shumë instiktive. Jam munduar të ndjek rrugën time”.

Çfarë sheh që ke marrë nga ai dhe çfarë sheh që ke ndryshuar përtej tij?

Ai ishte në katër cepat e telajos një qenie e talentuar, nuk kishte asnjë mangësi. E vetmja ‘mangësi’ e tij ishte që nuk bëri dot shkollën e lartë për aktor. Aktor të tillë që kanë dalë nga ndërmarrja, kanë qenë të talentuar dhe kanë spikatur me talentin e tyre thjesht nga talenti i tyre, të papërpunuar.

Të kritikonte në shtëpi?

Më kritikonte çdo javë, se në 21 vite punë kam çdo javë që dal në një spektakël humori. Pas çdo numri kisha një telefonatë, kishte dhe komplimente po shumë shkurt, e pastaj fillonte. E ka pas problem banalitetin, e në fakt unë nuk isha dakord me të. I thosha ‘shiko ça do thotë banalitet se tani kanë ndryshuar kohërat’. Kur është bërë humor në kohën e tyre ka qenë ndryshe, ishte filtri shumë i madh, shumë i fortë, kurse në kohën tonë s’po them se s’ka filtër por konsumi është më i madh.