Aktorja e njohur, Lili Reinhart ka ndarë një përvojë jo të mirë nga xhirimet, duke zbuluar se një regjisor mashkull i kishte thënë të “tërhiqte barkun brenda”. Ajo e tregoi këtë gjatë një videointerviste të re me koleget e saj nga filmi Forbidden Fruits – Lola Tung, Alexandra Shipp dhe Victoria Pedretti.

Kur u pyet nga Victoria Pedretti se cili udhëzim në aktrim e kishte prekur personalisht, 29-vjeçarja kujtoi menjëherë momentin e sikletshëm. “Oh, po”, tha ajo. “Një regjisor mashkull më u afrua, u përkul pak dhe më tha në heshtje: ‘Thjesht tërhiqe pak barkun’”. Reagimet e kolegeve të saj ishin të menjëhershme. “O Zot. Si quhet dhe ku jeton?” reagoi Pedretti, ndërsa Lola Tung shtoi me humor: “Koha për ta mallkuar!” Alexandra Shipp përsëriti disa herë: “Thuaje emrin e tij! Thuaje emrin e tij!” Reinhart, e cila nuk e zbuloi identitetin e regjisorit, iu përgjigj: “Do t’jua them më vonë”.

Në një intervistë për revistën Self vitin e kaluar, Reinhart tha se kishte zhvilluar një çrregullim të të ngrënit gjatë xhirimeve të “Riverdale”, duke shtuar se “99 për qind e mendimeve të saj ishin të përqendruara te trupi” gjatë punës në sezonin e gjashtë të serialit.