Kina ka nisur një fushatë të gjerë ndaj influencerave, që ekspozojnë pasuri të tepruar në rrjetet sociale, duke mbyllur ose kufizuar disa llogari të njohura që promovonin stil jetese luksoz. Autoritetet kanë vënë në shënjestër përmbajtje që shfaqnin makina superluksoze, vila, veshje firmato, bizhuteri të shtrenjta, avionë privatë dhe një kulturë të ashtuquajtur “adhurimi i parasë”.

Një nga rastet më të njohura është ai i influencuesit Wang Hongquanxing, i njohur online si “Kim Kardashian i Kinës”, i cili kishte miliona ndjekës dhe njihej për stilin e jetesës ultra-luksoz. Llogaritë e tij në rrjete sociale janë bërë së fundmi të paarritshme. Autoritetet kineze deklarojnë se masa të tilla synojnë krijimin e një “kulture më të shëndetshme online” dhe frenimin e promovimit të materializmit ekstrem, i cili sipas tyre ndikon negativisht te të rinjtë.