Reality show “Përputhen” që transmetohet në ekranin e Top Channel nga e hëna në të premte në orën 18:15, vazhdon që të bëjë namin në kanalin e “Youtube”.  Në dy javë emisioni ka arritur 1.1 milion klikime.


Formati i cili është i thjeshtë dhe i vërtetë ka treguar se është arma më e fortë duke tërhequr  vëmendjen e publikut. Nën moderimin e Bora Zemanit dhe opinionistit Arian Konomi, “Përputhen” sjell në ekran histori të vërteta të njohjeve mes djemve dhe vajzave, ashtu siç ndodhin në jetën reale.



Një nga puntatat që ka thyer rekord shikueshmërie është kur moderatorja e emisionit, Bora Zemani, zbuloi vendimin e marrë nga ana e produksionit për largimin e Shqipe Hysenajt.



“Konkurrentja Shqipe Hysenaj, në mënyrë të përsëritur ka shfaqur sjellje të papërshtatshme dhe të dënueshme në raport me moralin shoqëror, çka nuk e klasifikon atë si një model që të rinjtë duhet ta ndjekin. Duke i garantuar të gjithë shikuesit tanë të çdo moshe, se Top Channel është i vendosur të mbrojë personalitetin dhe dinjitetin e çdokujt pavarësisht bindjeve dhe orientimeve të tij fetare, politike apo seksuale ne kemi vendosur të përjashtojmë për një fat të pacaktuar Shqipen nga “Për’Puthen”. Mbrojtja e parimeve mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e lirë moderne dhe pluraliste, është më e rëndësishme se audienca e çdo programi. Për këtë shkak i kërkuam Shqipes të kërkojë ndjesë publike duke e përjashtuar nga “PërPuthen”, tha Bora në puntatën kur u zbulua vendimi për Shqipen.




28-vjeçarja e lindur në Zvicër ka marrë vëmendjen e publikut që ditën e parë të prezantimit në “Përputhen” dhe është komentuar gjatë në çdo puntatë. Pjesëmarrja e saj në programin e njohjeve “Përputhen” ka bërë menjëherë bujë.



Vajza, e cila në jetën e saj merret me programet e fëmijëve parashkollorë, ka shfaqur një anë rebelizmi thuajse gjithmonë në emision. Madje edhe tani që është përjashtuar pa afat nga programi, vijon që sjellja e saj apo ky vendim i produksionit të komentohet gjatë nga publiku dhe në rrjetet sociale.


Në komentet në faqen zyrtare të emisionit “Përputhen” në “Instagram”, është kërkuar me kohë largimi i Shqipes nga ky program. Lidhur me vendimin e produksionit, komentuesit shprehen se “është vendim i drejtë, edhe pse i vonuar”.


Por gjithashtu ka edhe nga ata që janë në anën e Shqipes, ku ndjekësit shprehen: “Po ju që shani Shqipen çfarë po bëni? Nuk po bullizoni, nuk po bëni të njëjtin veprim si ajo? Apo bëj siç them unë, e jo siç bëj unë”.