Reperi i famshëm, Lil Wayne, ka anuluar koncertin e planifikuar për të hënën në Budweiser Stage, Toronto. Shkak është bërë një sëmundje e papritur.   

Lajmi u konfirmua nga organizatorët përmes rrjeteve sociale, ku u tha se artisti 42-vjeçar ishte i detyruar ta shtynte performancën: 

“Siç e dinë fansat, Wayne e merr seriozisht skenën dhe ishte shumë i emocionuar për këtë natë”. 

Gjithashtu organizatorët kanë bërë të ditur se koncerti do të riplanifikohet, ndërsa biletat e blera do të vlejnë për datën e re. Deri tani nuk është konfirmuar ndonjë datë e re. 

Wayne është aktualisht në mes të turneut të tij “Tha Carter VI”, që nisi më 1 gusht në Virxhinia dhe përfshin qytete si Detroit, Los Angeles dhe Dallas, përpara se të përfundojë më 2 tetor në Florida. 

Në disa koncerte ai shoqërohet nga French Montana, Tyga dhe NoCap, ndërsa Belly Gang Cushington është pjesë e përhershme e turit. 

Përfaqësuesit e reperit nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar mbi gjendjen e tij.