Reperi dhe këngëtari D4vd është arrestuar nën dyshimin për vrasje, pas zbulimit të trupit të një vajze 14-vjeçare në një automjet të tij. Artisti 21-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është David Anthony Burke, ishte nën hetim prej muajsh pas gjetjes tronditëse të mbetjeve të trupit të Celeste Rivas Hernandez në shtator. Ai u shoqërua me pranga nga banesa e tij në zonën Hollywood Hills nga disa efektivë të armatosur.
Sipas një fqinji, policia përdori altoparlant për t’i bërë thirrje të dorëzohej përpara se të dilte nga banesa. Aktualisht ai mbahet pa të drejtë lirimi me kusht në Los Angeles. Një zyrtar i lartë i policisë deklaroi se autoritetet kishin një urdhër arresti të bazuar në prova të mjaftueshme dhe se kishin ndjekur lëvizjet e tij përpara ndërhyrjes.
Një automjet Tesla i regjistruar në emër të artistit ishte gjetur i braktisur në një depo tërheqjeje vitin e kaluar. Punonjësit kishin raportuar një erë të rëndë, çka çoi në kontrollin e makinës nga policia.
Brenda saj, më 8 shtator, u zbuluan mbetjet e dekompozuara të vajzës. Sipas dokumenteve gjyqësore, hetuesit gjetën edhe pjesë të trupit të ndara në qese të veçanta. Shkaku i vdekjes së vajzës mbetet ende i paqartë. Ajo ishte raportuar e zhdukur që në prill të vitit 2024, kur ishte vetëm 13 vjeçe, pasi kishte dalë për të parë një film.




