Reperi amerikan Lil Pump, emri i vërtetë i të cilit është Gazzy Fabio Garcia ka treguar se ka rrezikuar jetën në një aksident të rëndë automobilistik. Në një postim në Instagram, 24-vjeçari tha se ngjarja ndodhi katër ditë më parë, teksa po drejtonte makinën në shi.
Ai shpjegoi se makina u përmbys dhe se shpëtoi vetëm pasi goditi dhe theu xhamin për të dalë jashtë, duke theksuar se “nëse nuk e bëja këtë, do të isha i vdekur”. Lil Pump paralajmëroi ndjekësit që të mos ngasin në mot të keq dhe tha se në ditëlindjen e tij do të shkojë në kishë për të falënderuar Zotin për shpëtimin.
Lil Pump e nisi karrierën në moshën 13-vjeçare, duke u bërë pjesë e skenës së “SoundCloud rap” në fund të viteve 2010, përpara se të arrinte famë ndërkombëtare me hitin “Gucci Gang”. Ai ka nënshkruar kontrata milionëshe me Warner Bros. Records dhe ka publikuar tre albume, por projekti i tij i fundit, Lil Pump 2 (2023), nuk arriti të hyjë në klasifikime.



