Menaxherja e artistëve dhe rekrutuesja e talenteve, Rea Shena, ka qenë e ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën. Ajo ka folur rreth lajmeve më të fundit që po qarkullojnë nga bota e showbizit. Por si vlerësohet showbizi jonë në krahasim me atë të huaj?

Një deklaratë e këngëtares së njohur, Rovena Dilo, ka bërë bujë në rrjet, ku thotë: “Po të dëgjosh repin shqiptar, 50% bëhen kriminelë, ky është frymëzimi që i jep. Muzika duhet të jetë një mjet ushqyes, frymëzues dhe zbukurues, ku të çon kjo? Ky zhanër është tepër provokativ. Çfarë të frymëzon një reper: të marrësh një kallashnikov e të vrasësh, apo të hedhësh shampanjë në kokë?”.

E pyetur “a të bën muzika rep kriminel?”, Rea u përgjigj:

“Unë kam shumë respekt për Rovenën si artiste, por muzika rep botërisht, aty i ka pasur fillimet e veta, nga getot e Amerikës. Ajo ka qenë zanafilla, grupet që ziheshin me njëri-tjetrin, flitej për drogën, për dhunën, për femrat, për makinat… Kjo gjë e rriti repin. Ndoshta kanë qenë pak më romantikë në mënyrën se si shkruanin dhe tani janë bërë pak më të rrugës akoma dhe ka rrënë noveli i tekstshkruesve të repit. Por kemi dhe reperë shumë të mirë si Kendrick Lamar, që po të lexosh tekstet e tij, ka një nivel shumë të lartë intelekti. Kjo është një gjë që edhe në shkollat e artit studiohet si temë që repi dhe tekstet e repit i shtyjnë njerëzit që të kenë një lifestyle ndryshe, ndoshta pak të dhunshëm. Por kjo nuk do të thotë që çdo njeri që dëgjon muzikë rep është kriminel. Unë dëgjoj rep nga e hëna në të diel dhe mirë jam akoma nga trutë e kokës (qesh)”.