I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë gazetari Andi Vrapi. Ai foli më shumë për MUSE-X Expofest, që do të mbahet në Tiranë më 11, 12, 13 prill.

Por Andi nuk mund të linte pa komentuar dhe ngjarjet e fundit të ndodhura në “Big Brother VIP 4″…

Egli apo Laerti, kush shkon në finale nga ky televotim?

Kanë qenë goxha të fortë, edhe Egli edhe Laerti. Laerti që në hyrje, emri i vet e ka përkrahur goxha shumë, i ka dhënë goxha peshë në lojë. Pastaj situatat aty brenda ku kryesisht i ka pasur me Valbonën dhe me dyshen Rozana-Gerta, i kanë dhënë hov dhe ka qenë lojtar i përfolur. Egli nga ana tjetër e ka nisur me afrimin e saj me Redonin, pastaj situatat me Xumin dhe duke kulminuar pastaj me marrëdhënien shumë të komplikuar me Gjestin. Me një logjikë të ftohtë, mendoj se shkon në finale Laerti. Kjo duke ardhur edhe pas rrëfimit të tij prekës që bëri ‘prime’-in e kaluar, për sa i përket abuzimit, fëmijërisë së vështirë, pastaj dhe surpriza që iu bë nga artistja e merituar Tinka Kurti, i dha goxha peshë në publik. Pavarësisht debatit sa i përket çështjeve fetare. Por mendoj se mbështetjen që e ka marrë deri tani, nuk do e dëmtojë në këtë televotim, por mund ta dëmtojë në televotime të ardhshme. Mendoj që Egli fatkeqësisht ka më pak gjasa që të shpallet finaliste.

Ndjekësit janë dhe përçarë, sepse për sa kohë marrëdhënia e Eglit dhe Gjestit nuk është e konsoliduar, edhe fansat nuk janë të konsoliduar. Pra nuk janë kompakt, që shkojnë sipas drejtuesit të tyre. Unë mendoj që gjasat janë më pak që të shkojë Egli në finale, por mund të ketë dhe surpriza, askush nuk e di. Sepse Laerti nuk është figura më e konsoliduar në atë shtëpi, si Rozana apo Gerta, që mund të ishte 100% fitore e garantuar për njërën nga të dyja vajzat. Ndoshta përqindjet mund të ndryshojnë, varen dhe nga dinamikat brenda në shtëpi. Plus dhe deklarata e Eglit, që nëse nuk shkon në finale del nga shtëpia. Është deklaratë e rrezikshme, sepse Egli ka dalë një herë nga shtëpia, ndryshe nga Laerti që nuk ka dalë asnjëherë. Rihyrja e Eglit në shtëpi, ajo erdhi me premtimin që do të ndryshonte për veten e saj dhe ndjekësit nisën ta shihnin me një sy tjetër, por Egli përfundoi duke bërë sërish betejat e Gjestit. /TAR/