Një nga krijimet më të rralla të epokës Art Deco është rikthyer në qendër të vëmendjes pas më shumë se një shekulli. Shtëpia prestigjioze Boucheron do të prezantojë në ankand një varëse unike në formë shalli, e cila pritet të shitet për një shumë që varion nga 270 mijë deri në 430 mijë euro.
Ankandi do të zhvillohet më 13 maj në Christie’snë Gjenevë, ku kjo kryevepër e rrallë pritet të tërheqë interes të madh nga koleksionistët dhe investitorët e luksit.
E krijuar në vitin 1925 për Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Dekorative dhe Industrive Moderne , kjo bizhuteri konsiderohet simbol i stilit Art Deco. Ajo përbëhet nga tri rreshta diamantesh të vendosur mbi platin, të ndërthurur me elemente oniksi, ndërsa rubinët dhe smeraldet janë të vendosur në formë lulesh në të gjithë strukturën.
Një nga veçoritë më të veçanta të kësaj varëseje është fleksibiliteti i saj. Ajo mund të transformohet dhe të vishet në forma të ndryshme, si byzylykë apo si një varëse klasike, duke e bërë jo vetëm një objekt estetik, por edhe funksional.
Ekspertët vlerësojnë se kjo pjesë është një arritje e jashtëzakonshme teknike për kohën, pasi montimi i gurëve është realizuar në mënyrë që të krijojë efektin e një shiriti të butë dhe elegant, pa trashësi të dukshme.
Në të njëjtin ankand do të prezantohet edhe një tjetër kryevepër e së njëjtës periudhë, një varëse e firmosur nga Cartier, e dekoruar me një smerald prej 86 karatësh, e cila ka fituar famë edhe nga paraqitja në filmin The Great Gatsby.


