Prej disa muajsh është përfolur për një ndarje të mundshme mes Michelle dhe Barack Obama. Por përmes postimeve në rrjetet sociale si dhe me daljet e tyre në publik së bashku, ata i kanë dhënë fund këtyre spekulimeve.
Ish-presidenti dhe ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë fotografuar mbrëmjen e së martës teksa dilnin nga restoranti luksoz, Lowell Hotel, në Nju Jork.
61-vjeçarja u shfaq mahnitëse me një fustan të zi me pala dhe taka elegante. Vëmendjen e morën edhe aksesorët e saj të artë, vëthë të mëdhenj dhe byzylykë të shumtë.
Michelle ishte me buzëqeshje në fytyrë dhe nuk i mungonte unaza e martesës, një detaj që i qetësoi përfundimisht fansat.
Nga ana tjetër, 63-vjeçari ishte veshur me një kostum klasik dhe serioz në paraqitje, duke ndjekur bashkëshorten teksa shoqëroheshin nga truproja e Shërbimit Sekret amerikan.
Edhe pse nuk pati gjeste të ndjeshme në publik mes çiftit, prania e tyre së bashku përforcoi mesazhin që ata vetë kanë përsëritur muajt e fundit: dashuria e tyre vazhdon të jetë e fortë, pavarësisht thashethemeve për krizë apo divorc.
Barack ka ndarë së fundmi në “Instagram” një dedikim të ndjerë për Ditën e Nënës, duke shkruar:
“@MichelleObama, unë dhe vajzat jemi me shumë fat që të kemi në jetën tonë. Të duam”, duke iu referuar vajzave të tyre Malia, 26 vjeç dhe Sasha, 23 vjeç.
Kujtojmë se Barack dhe Michelle janë të martuar që nga viti 1992 dhe konsiderohen një nga çiftet më të dashura e më me ndikim në skenën politike dhe kulturore globale.






