Princesha e Uellsit, Kate Middleton, bëri një rikthim mbresëlënës në historinë mbretërore duke veshur kurorën e rrallë Strathmore Rose, një thesar që nuk ishte përdorur në publik për gati një shekull.

43-vjeçarja mbushi me elegancë një moment historik gjatë banketit shtetëror në Buckingham Palace, për vizitën e Koresë së Jugut.

Kjo kokore delikate, me pesë trëndafila diamanti të vendosur në një bandë lulesh, i përkiste fillimisht Mbretëreshës Nënë, e cila e kishte marrë si dhuratë martese nga babai i saj, Earl i Strathmore dhe Kinghorne, në vitin 1923. Që atëherë, tiara ishte veshur rrallëherë dhe u fotografua për herë të fundit në vitet 1930.

Rikthimi i saj nga Kate u pa si një nderim i veçantë për Mbretin Charles, i cili ishte shumë i afërt me gjyshen e tij.

Ndërkohë ekspertët e modës dhe historianët mbretërorë e konsideruan këtë moment jo vetëm një deklaratë stili, por edhe një simbol të vazhdimësisë së trashëgimisë mbretërore.

Lauren Kiehna nga “Court Jeweller” theksoi se veshja e tiarës shpreh lidhjen ndërbreza dhe aspiratën e Kate për të ndjekur shembullin e Mbretëreshës Nënë.

Edhe Bethan Holt, drejtoreshë mode në “The Daily Telegraph”, e përshkroi kurorën si një “thesar të humbur” që tani merr jetë të re. Përveç aspektit historik, ky aksesor ka treguar se Princesha Kate është e aftë të bashkojë elegancën bashkëkohore me respektin për traditën mbretërore, duke e bërë këtë një nga momentet më të paharrueshme të saj në skenën publike.