Autoritetet amerikane kanë nisur një kontroll të ri në pronën famëkeqe të Jeffrey Epstein në shtetin New Mexico, një vend që prej vitesh është përfolur për sekrete të errëta që lidhen me aktivitetet e tij kriminale. Kompleksi i njohur si Zorro Ranch ndodhet pranë qytetit Stanley, rreth 50 kilometra në jug të Santa Fe. Hetimi është rihapur nga prokurori i përgjithshëm i shtetit New Mexico pas kërkesës së hetuesve federalë në Nju Jork për të verifikuar pretendime të reja të rënda.
Sipas dyshimeve, prona mund të ketë qenë vendi ku Epstein organizonte abuzime dhe trafikim të vajzave të reja. Në qendër të hetimit janë edhe pretendimet se në këtë kompleks mund të ekzistojë një incenerator i fshehtë ku mund të jenë shkatërruar prova. Dyshimet janë ngritur edhe nga një ish-oficer policie që patrullonte zonën për shumë vite. Ai ka raportuar se në pronë ishte ndërtuar një strukturë e pazakontë që ngjante me një hangar të madh me oxhak dhe sistem hyrjeje të sigurisë së lartë, çka ngriti dyshime për ekzistencën e një inceneratori të fshehtë.
Po ashtu, hetuesit po verifikojnë edhe pretendime të tjera të rënda sipas të cilave disa viktima mund të jenë varrosur në zonën përreth pronës në shkretëtirë. Prona u ble nga Epstein në vitin 1993 dhe përfshin një kompleks të madh me vilë kryesore, shtëpi për mysafirë, pistë private avionësh dhe helipad.
Pas vdekjes së Epstein në vitin 2019 në një burg të Nju Jorkut, prona u shit në vitin 2023 te biznesmeni dhe politikani nga Teksasi Donald Huffines. Autoritetet kanë konfirmuar se pronari aktual po bashkëpunon me hetimet. Ndërkohë, prokurorët kanë deklaruar se hetimet do të vazhdojnë dhe se çdo pretendim do të verifikohet për të zbardhur të vërtetën mbi aktivitetet që dyshohet se kanë ndodhur në këtë pronë.




