Bota e kinemasë është tronditur nga lajmi i rëndë për vdekjen e regjisorit, aktorit dhe producentit të njohur Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij, Michele Singer Reiner. Çifti u gjet i pajetë të dielën pasdite në banesën e tyre luksoze në Brentwood të Los Angeles, me plagë thike, ndërsa autoritetet po hetojnë ngjarjen si vrasje.

Sipas Departamentit të Policisë së Los Angeles (LAPD), hetimet janë ende në fazat e para dhe nuk ka detaje zyrtare mbi motivin apo autorët.

Megjithatë, burime pranë çështjes kanë lënë të kuptohet se pista kryesore lidhet me një konflikt të mundshëm familjar. Rob Reiner ishte 78 vjeç, ndërsa Michele 68.

Përveç dhimbjes së madhe që ka shkaktuar humbja e një figure ikonike të Hollywood-it, vdekja e Reiner ka hapur edhe diskutime mbi trashëgiminë e tij të konsiderueshme.

Gjatë një karriere disa dekadëshe, ai ndërtoi një pasuri të vlerësuar rreth 200 milionë dollarë, falë sukseseve të mëdha kinematografike si When Harry Met Sally, Stand by Me, The Princess Bride dhe A Few Good Men.

Një pjesë kyçe e pasurisë së tij lidhet edhe me Castle Rock Entertainment, kompaninë që ai bashkëthemeloi dhe që prodhoi projekte ikonike si Seinfeld. Investimet në pasuri të paluajtshme, përfshirë shtëpinë në Brentwood, përbëjnë gjithashtu një aset të rëndësishëm.

Ndërsa hetimet për vdekjen e çiftit vazhdojnë, mbetet e paqartë se si do të shpërndahet trashëgimia, duke qenë se testamenti nuk është bërë ende publik dhe Reiner lë pas fëmijë nga martesa aktuale dhe të mëparshme.