Aktori legjendar i Hollywood-it, Robert De Niro, ka shfrytëzuar fjalimin e tij të pranimit të çmimit të karrierës “Palme d’Or” në Festivalin e Filmit në Kanë për të kritikuar presidentin amerikan, Donald Trump. 81-vjeçari De Niro, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra kundër Trump, e cilësoi atë si një “kërcënim global”.

“Ne në vendin tim po luftojmë me gjithë forcën për demokracinë që dikur e merrnim si të mirëqenë,” u shpreh De Niro përpara një audience që përfshinte disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë së filmit.

Duke theksuar rëndësinë e artit si një formë rezistence dhe bashkimi, aktori shtoi:

“Kjo na prek të gjithëve këtu, sepse arti është demokratik, arti është gjithëpërfshirës dhe i bashkon njerëzit, ashtu si sonte. Arti kërkon të vërtetën. Arti përqafon diversitetin, dhe pikërisht për këtë arsye, arti është një kërcënim.”

De Niro vijoi më tej duke sulmuar politikat e Trump që sipas tij, kanë dëmtuar kulturën dhe artin në SHBA:

Për këtë arsye, ne jemi një kërcënim për autokratët dhe fashistët. Presidenti i Amerikës është emëruar në krye të një prej institucioneve tona kryesore kulturore (Qendra Kennedy). Ai ka ndërprerë financimet dhe mbështetjen për artin, humanizmin dhe arsimin.

Gjithashtu, De Niro kritikoi planet e raportuara të Trump për të vendosur tarifa mbi filmat e prodhuar jashtë Shteteve të Bashkuara:

Kreativiteti nuk ka çmim, por me sa duket mund të vendosësh një tarifë mbi të. Natyrisht, kjo është e papranueshme. Të gjitha këto sulme janë të papranueshme.

Aktori i njohur theksoi se ky problem nuk është vetëm amerikan, por global:

Dhe kjo nuk është vetëm një çështje amerikane, është një problem global. Ndryshe nga një film, ne nuk mund të rrimë thjesht ulur dhe të shohim. Duhet të veprojmë, dhe duhet të veprojmë tani.

Në përfundim të fjalimit të tij, De Niro bëri thirrje për veprim kundër Trump: “Pa dhunë, por me pasion dhe vendosmëri të madhe. Është koha që të gjithë ata që kujdesen për lirinë të organizohen, të protestojnë dhe, kur të ketë zgjedhje, natyrisht, të votojnë. Votoni.”