120 ditë plot të papritura, në një ndër rrugëtimet më dinamike dhe të veçanta brenda BBV ka qenë ai i Rozana Radit.
Nga amfiteatri i Tiranës, me të cilin e lidhin aq shumë emocione – pasi nga njëra anë është përkujtimorja e xhaxhait të saj, artistit të mirënjohur Françesk Radi, e nga ana tjetër skena që e do dhe i ka dhënë aq shumë -, finalistja ka shprehur mirënjohjen për të gjithë njerëzit që i kanë qëndruar afër në të tatëpjetat e saj, për t’i dhënë dorën që të ringrihej sërish.
Duke falenderuar Vëllain e Madh për eksperiencën, banorja u shpreh se ky “ka qenë stacioni më i bukur i jetës sime.”
Rozana: Falenderoj të gjithë njerëzit që më kanë qëndruar afër dhe kanë dhënë dorën për t’u ringritur 100 herë në jetën. U jam mirënjohëse. Dua të falenderoj njeriun që më dërgoi ftesën për të ardhur këtu dhe përballur me veten. Falenderoj flotën e madhe të një Big Brotheri që mu bë më vëlla se vëllai që nuk e pata, i cili më la në garë me veten time, me gabimet më të mëdha të mijat, me humbjet që nuk i kisha pranuar kurrë deri më sot, me lotët, me gëzimet. Dhe që mendoj se ka qenë stacioni më i bukur i jetës sime.
Në klipin me momentet më të bukura në shtëpinë më të famshme, Rozana ka veçuar nga BBV takimin me Livian dhe forcimin e miqësisë me Laertin. Pavarësisht se ai i krijoi zhgënjimin më të madh, fakti që në fund u tregua mik i vërtetë duke i falur suksesin dhe e konsideruar atë fituese do të thotë shumë për artisten.

