Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku, duke vendosur që ai të vijojë procedimin në masën “detyrim paraqitjeje”.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Marku nuk do të qëndrojë më nën masën e mëparshme të sigurisë dhe do të duhet të paraqitet periodikisht pranë autoriteteve.

Këngëtari ishte arrestuar në fillim të muajit shtator në lidhje me një episod dhune ndaj Eduard Kuçit. Rasti mori vëmendje pas publikimit të një videoje, ku Marku dhe disa persona të tjerë shfaqeshin gjatë përplasjes me Kuçin.

Ngjarja dyshohet se është regjistruar pranë mbikalimit të Rinasit. Në pamjet e bëra publike, Kuçi shihet teksa automjeti i tij ndalohet në rrugë dhe më pas ai nxirret prej makinës.

Një nga elementet që po shqyrtohet në kuadër të hetimeve është edhe mënyra se si është ndaluar automjeti. Sipas të dhënave të deritanishme, dyshohet se është përdorur një tabelë e Policisë së Shtetit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe rolit të personave të përfshirë vijojnë.