Shtatë vjet pas skandalit seksual që tronditi Hollywood-in dhe i përmbysi karrierën, aktori i njohur Kevin Spacey thotë se sot është i pastrehë. Në një intervistë për “The Telegraph”, fituesi i dy çmimeve Oscar zbuloi se jeton duke u zhvendosur vazhdimisht, kudo që i del punë. “Unë fjalë për fjalë nuk kam shtëpi, jetoj në Airbnb dhe hotele”, u shpreh ai, duke pranuar se gjendja e tij financiare nuk është aspak e mirë. Edhe pse nuk arriti në pikën e falimentimit, Spacey tha se kostot në ato shtatë vjet ishin astronomike, ndërsa të ardhurat e pakta nuk i mbulonin shpenzimet. Ai shtoi se “kultura e anulimit”, e cila e la pa shumë role, ndikoi drejtpërdrejt në situatën e tij të vështirë.

Në një reflektim personal, Spacey tha se ndihej sikur “kishte kaluar sërish në pikën zero”, duke udhëtuar kudo që kishte punë, ashtu si në fillimet e karrierës. Dikur kishte një shtëpi të qëndrueshme në Baltimore, por tani “të gjitha sendet i ka në magazinë”, derisa të ketë mundësi të vendoset diku përfundimisht.

Aktori 66-vjeçar është akuzuar publikisht nga më shumë se 30 burra për sjellje të papërshtatshme ose sulm seksual, duke nisur që nga viti 2017 me akuzën e Anthony Rapp. Pas publikimit të akuzave, Netflix e largoi nga “House of Cards”, duke e përfunduar serinë pa të. Spacey u shpall i pafajshëm në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2023 për katër akuza për sulm seksual dhe gjithashtu fitoi një padi të veçantë në Nju Jork në vitin 2022. Megjithatë, dokumentari “Spacey Unmasked” në vitin 2024 riktheu në vëmendje akuzat e shumta ndaj tij.

Aktori theksoi se merr përgjegjësi për sjelljen e tij, por nuk pranon, siç thotë ai, “të kërkojë falje për gënjeshtra”. “Nuk do të lejoj që të tjerët të shpikin histori rreth meje”, u shpreh ai në një intervistë me Dan Wootton. Pavarësisht vështirësive, Kevin Spacey vazhdon të shfaqet në publik. Këtë javë ai u pa në Monte Caputo në Limasol, ndërsa vitin e kaluar u nderua me një çmim për arritje jetësore në Kanë.