Një libër i ri i Charles Spencer, vëllait të Princeshë Dianës, pritet të sjellë rrëfime të reja për ditët pas vdekjes së saj dhe marrëdhënien me mbretin Charles. Në librin “Swan Swan: Diana, Motra Ime”, Spencer tregon një përplasje të tensionuar me Charles, atëherë Princ i Uellsit, lidhur me vendimin që William dhe Harry të ecnin pas arkivolit të nënës së tyre gjatë funeralit.

Një libër i ri i Charles Spencer, vëllait të Princeshë Dianës, pritet të sjellë zbulime të reja për periudhën pas vdekjes së saj dhe marrëdhënien me mbretin Charles.
Në librin “Swan Swan: Diana, Motra Ime”, Konti Spencer rrëfen një përplasje të tensionuar me Charles, atëherë Princ i Uellsit, lidhur me funeralin e Dianës.
Sipas Spencer, ai ishte kundër idesë që dy djemtë e Dianës, William dhe Harry, atëherë 15 dhe 12 vjeç, të ecnin pas arkivolit të nënës së tyre gjatë procesionit mortor.
Ai argumentonte se Diana nuk do të dëshironte që fëmijët e saj t’i nënshtroheshin një presioni të tillë publik në një moment kaq të dhimbshëm.
Por Charles, sipas rrëfimit të Spencer, këmbënguli që djemtë të merrnin pjesë në procesion. Ai iu referua edhe përvojës së tij, kur kishte ecur pas arkivolit të xhaxhait të tij, Lord Mountbatten, në vitin 1979.
Spencer thotë se gjatë një telefonate i kujtoi Charlesit se në atë kohë ai vetë ishte 30 vjeç dhe se situata nuk mund të krahasohej me atë të William dhe Harry-t.
Sipas librit, debati u tensionua dhe Charles i tha Spencerit: “Ji i sigurt, do ta harrojmë së shpejti.” Një deklaratë që, sipas Spencer, e tronditi. “Nuk mund ta besoj që sapo e the këtë”, i është përgjigjur ai, përpara se të mbyllte telefonin.
Spencer pretendon se kjo deklaratë pasqyronte qëndrimin e Charles ndaj Dianës dhe shqetësimin për reagimin e jashtëzakonshëm të publikut pas vdekjes së saj.
Diana humbi jetën më 31 gusht 1997 në një aksident automobilistik në Paris. Gjashtë ditë më vonë, funeralit të saj në Westminster Abbey iu dha një vëmendje e jashtëzakonshme ndërkombëtare.
Charles Spencer mbajti fjalimin e famshëm kushtuar motrës së tij, ndërsa gjatë procesionit në Londër ai eci pas arkivolit së bashku me William, Harry, Charles dhe Philip.
Spencer thotë se me librin synon të sjellë këndvështrimin e tij dhe të korrigjojë ato që i konsideron pasaktësi të thëna ndër vite për Dianën.
