Një dokumentar i ri i “Netflix” ka rikthyer në qendër të vëmendjes jetën e Hulk Hogan, duke hedhur dritë mbi periudhat më të vështira që ai përjetoi, përfshirë betejën me dhimbjet kronike dhe varësinë nga ilaçet e forta.
Në dokumentarin “Hulk Hogan: Real American”, i cili përfshin edhe intervistën e tij të fundit para ndarjes nga jeta në korrik 2025 si pasojë e një ataku në zemër, ish-ylli i mundjes rrëfen hapur për përdorimin e fentanilit.
Ai tregon se pas divorcit nga Linda Hogan në vitin 2009, u përball me një periudhë të errët, si emocionalisht ashtu edhe financiarisht.
Gjatë kohës që ishte pjesë e TNA (Total Nonstop Action Wrestling), Hogan pranoi se nuk ishte më në gjendje të performonte në nivelin e kërkuar për shkak të problemeve serioze shëndetësore.
Dhimbjet e vazhdueshme e shtynë drejt përdorimit të fentanilit, një prej qetësuesve më të fuqishëm, ndërsa ai rrëfen se kishte arritur në nivele alarmante përdorimi.
Farmacisti më tha se nuk kishte parë kurrë një njeri të merrte kaq shumë
-shprehet ai në dokumentar, duke theksuar rrezikun që mbartte kjo situatë.
Hulk Hogan tregon gjithashtu se dhimbjet ishin aq të forta sa nuk mund të shtrihej, duke kaluar net të tëra ulur në karrige.
Dalja e tij e fundit në ring ishte në vitin 2012, ndërsa një vit më vonë u largua përfundimisht nga TNA (Total Nonstop Action Wrestling), duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij.
