I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, për të diskutuar mbi çështjen e Agron Shehajt, i cili rrëmbeu marrëveshjen konfidenciale me SHBA-të në Kuvend dhe iku me vrap. Ndërkohë, këshilltarja që e ndoqi deputetin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime.

Sharka: Nëse SHBA për shkak të këtij dokumenti, i cili është një marrëveshje midis Shqipërisë dhe SHBA-së, që duhet ta dinit vetëm ju, vendos që ta shpallë zotin Shehaj “non grata” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju do të votonit për ta shkarkuar atë si kryetar të partisë “Mundësia”?

Kapri: Mos u merr me budallallëqe, të lutem! Unë sapo të thashë që në senatin amerikan ke 8 faqe të publikuara të marrëveshjes…

Sharka: Unë nuk e kam quajtur kurrë punën tuaj si deputet budallallëk. 

Kapri: Po them budallallëqe si çështje, mos u merr me këto gjëra. Marrëveshja është e publikuar në senatin amerikan. Këta që përpiqen ta bëjnë sikur është ndonjë gjë ‘top sekrete’, këta janë dhe infantilë, janë dhe negativë. Këta nuk e njohin shtetin. Këta e përdhosin shtetin. Marrëveshja që duhet të njihej nga 140 deputetë, duhet t’u kalonte të gjithë deputetëve sepse ka nevojë për transparencë, ka nevojë për llogaridhënie. Dhe këtë gjë nuk e bëjnë ata. Dhe ky është problemi në atë parlament, që nuk japin llogari këta. Nuk kishte gjë sekrete aty. 

Sharka: Unë shpresoj që ai dokument të mos dalë, për sigurinë e Shqipërisë.

Kapri: Unë ta thashë, si një njeri që e njeh shumë mirë ligjin dhe sigurinë kombëtare të vendit tim, nuk ka asgjë të tillë. Janë të gjitha të pabaza. Dhe po ta them që ajo që bëri dje zoti Shehaj, duhet inkurajuar.