Këngëtarja e njohur me famë botërore, Nelly Furtado, ka njoftuar se do të tërhiqet për një kohë të pacaktuar nga performancat muzikore live, pas një karriere 25-vjeçare në skenë. Në një postim në Instagram, me rastin e përvjetorit të 25-të të albumit të saj debutues “Whoa, Nelly!”, Furtado u shpreh se është e lumtur që muzika e saj ka gjetur jehonë edhe tek një brez i ri dëgjuesish, por ndjen se ka ardhur momenti për t’u fokusuar në rrugë të tjera kreative dhe personale.
“Ka qenë një kënaqësi të rikthehem në skenë dhe të ndaj me publikun fuqinë e muzikës. Por kam vendosur të tërhiqem nga performancat dhe të ndjek disa iniciativa të tjera krijuese e personale që përputhen më shumë me këtë fazë të jetës sime,” shkroi ajo. Ajo theksoi se, pavarësisht kësaj pauze, identiteti i saj artistik mbetet i pandryshuar: “Do ta shoh veten gjithmonë si kantautore. Jam pafundësisht mirënjohëse për vitet e argëtimit, komunitetit dhe mrekullisë që muzika më ka dhuruar.”
Pas sukseseve me hite si “I’m Like a Bird”, “Say It Right” dhe “Promiscuous”, Furtado u rikthye në skenë vitin e kaluar pas një pauze të gjatë, duke performuar në disa festivale ndërkombëtare. Në muajt e fundit, artistja është përballur me kritika për pamjen dhe zgjedhjet e saj të veshjeve në skenë. Si reagim, ajo dha një mesazh të fortë pranimi dhe vetëbesimi, duke u shfaqur në një koncert me një bluzë me mbishkrimin ironik: “Better than ever” (Më mirë se kurrë), duke iu kundervene keshtu “body shaming”. Sipas mediave si People dhe Entertainment Weekly, këngëtarja nuk po largohet plotësisht nga muzika; ajo synon të vazhdojë shkrimin e këngëve dhe të ndjekë projekte të tjera artistike.



