Rreth 70 simpatizantë të Luizit janë shfaqur mesditën e sotme në Kashar, pranë shtëpisë më të famshme në Shqipëri.

Kjo “protestë” në mbështetje të banorit të Big Brother Vip nisi në një fushatë të këtyre njerëzve në rrjetet sociale.

Gjithçka nisi si pasojë e një historie të sajuar nga këngëtari 37-vjeçar gjatë një bisede me Kiarën, ku tha se vuante nga një sëmundje.

Por i pyetur nga Arbana gjatë prime-it të Big Brother, Luizi dha një deklaratë kontradiktore se kjo ishte një histori që në fakt kishte të bënte me një shok të tijin.

“Ishte për një shokun tim, por nuk e di se si doli në vetë të parë,” tha tekstualisht ai.

Për transparencë totale, produksioni e dërgoi në spitalin “Shefqet Ndroqi” ku pas të gjitha analizave rezultoi që nuk kishte asnjë sëmundje, por se ishte një histori e stisur. “Gëzon shëndet të plotë,” u shpreh doktoresha.

I pyetur nga banorët e zhgënjyer për arsyet që e shtynë të gënjente, ai vetë quajti gomarllëk gjithë situatën e krijuar. Situatë për të cilën flitet kudo. Rrjetet sociale kanë vërshuar me komente të shumta. Një prej tyre ishte dhe ai i gazetarit të njohur Milaim Zeka.

“Merre me mend kur një mashtrues, narkoman, rrenc, abuzues, quhet VIP dhe serviret si model për fëmijët e mi.

Ky njeri dhe shumica e të tjerëve, duhet me qenë model se si nuk duhet me qenë. Njeriu që gënjen edhe për shëndetin vetëm për të abuzuar. Ky dhe disa, me pas prokuori e shtet, ashte dasht me fut në burg e jo në Big Brother. Shoqëri mesjetare, hipokrite, e dashuruar pas gënjeshtrës, mashtrimit dhe abuzimit,” shkruan Zeka.