Aktorja e njohur për rolin e Adriana La Cervas në serialin “The Sopranos”, Drea de Matteo, ka rrëfyer sërish arsyet që e shtynë t’i bashkohej faqes me përmbajtje për të rritur, “OnlyFans” dhe se si platforma ndryshoi situatën e saj financiare.
54-vjeçarja iu bashkua platformës në vitin 2023, në një periudhë kur po përballej me vështirësi ekonomike dhe rrezikonte të humbiste shtëpinë. Sipas rrëfimit të saj, vetëm 75 minuta pasi hapi llogarinë, ajo siguroi rreth 75 mijë dollarë, të ardhura që i përdori për të shlyer një barrë financiare të lidhur me shtëpinë.
Pikërisht kjo përvojë ka bërë që aktorja të mos e shohë “OnlyFans” thjesht si një platformë online, por si një mënyrë për të pasur më shumë kontroll mbi punën dhe të ardhurat e saj.
Në një intervistë të fundit për “The Sun”, De Matteo tha se nuk ka ndërmend ta braktisë platformën, duke theksuar se aty ka gjetur një lloj lirie që, sipas saj, i mungonte në industrinë e aktrimit.
Aktorja, e cila u bë e famshme ndërkombëtarisht si Adriana La Cerva në “The Sopranos”, ka luajtur gjithashtu në seriale si “Desperate Housewives” dhe “Joey”.
Por, sipas saj, fama televizive nuk ka nënkuptuar domosdoshmërisht siguri financiare. De Matteo ka treguar se gjatë viteve të saj në televizion nuk ka përfituar të ardhura të mëdha nga transmetimet e mëvonshme të produksioneve ku ka luajtur.
“Puna në OnlyFans më jep lirinë të punoj kur dua unë”, ka deklaruar ajo, duke e përshkruar platformën si një burim të rëndësishëm pavarësie.
