Në puntatën e fundit të emisionit “Goca dhe Gra”, një debat i papritur mori vëmendjen e të pranishmëve, kur u diskutua për trajnimin motivues që do të organizojë Ermal Mamaqi këtë fundjavë.
Mamaqi shpjegoi se seminari i tij synon t’u ofrojë pjesëmarrësve mënyra për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe marrëdhënien me vetveten, duke theksuar se aty do të jenë të ftuar edhe personazhe të njohur publikë.
“Të shtunë dhe të diel kam një trajnim. Vijnë shumë personazhe VIP. Do më dëgjosh dy ditë dhe unë do të tregoj se çfarë mund të bësh më mirë me jetën tënde”, tha ai, duke iu drejtuar edhe aktores Ema Andrea, e cila ndodhej në panel.
Megjithatë, Ema iu përgjigj hapur:
“Me thënë të drejtën, tani e kuptova pse je në këtë situatë, ku je i bindur se çdo gjë që thua do t’u shërbejë të gjithëve. Çfarë bëj në jetë e kam zgjedhur vetë, dhe jam e suksesshme me këtë që kam zgjedhur. Kam gjëra më të rëndësishme për të bërë”.
Duket se kësaj drame i është bashkuar edhe Egla Ceno, e cila në një postim në “Instastory” shkruan:
“Ermal, nuk të falet! Ti tashmë duhet ta kishe kuptuar se disa artistë nuk kanë kohë për të mësuar diçka të re, por gjejnë kohë për të dëmtuar punën e një artisti tjetër. Je ndierë ndonjëherë gjeni me kohë të plotë ti Ermal? Jo! Atëherë ç’ke? Rri aty, gjej mënyra si të përmirësosh veten dhe rrethin tënd se ti s’e ke idenë e suksesit. Disa artistë e matin suksesin me sa njerëz nënvlerësojnë jo me sa gjëra mësojnë.
U bëre ti Ermal. Ti s’e ke idenë fare se kur ndihesh Moxart, gjërat e reja të duken si kurs pianoje për fillestarë. Je ndierë ndonjëherë Moxart ti Ermal? Jo! Atëherë ç’ke? Ka artistë Ermal, që nuk kanë nevojë për zhvillim personal sepse e kanë arritur perfeksionin. Disa të tjerë e konsiderojnë përulësinë si fyerje personale. Po nga t’i dish ti këto gjëra o Ermal, ti e ke mendjen të investosh tek vetja jo të bësh sukses. P.S: Keep going!”.

Menjëherë, ky mesazh është marrë nga ndjekësit si një kunjë ndaj Ema Andreas.


