Rozana Radi ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale pas një përplasjeje me një ndjekëse, e cila kritikoi publikisht pamjen e këngëtares dhe ndërhyrjet estetike. Artistja ka publikuar së fundmi disa foto nga pushimet në Capri të Italisë, ku krahas komenteve pozitive dhe komplimenteve, nuk kanë munguar as reagimet kritike.

Një prej ndjekëseve i ka shkruar: “Rroftë kirurgu plastik. Jeni bërë një format të gjitha”, duke iu referuar ndryshimeve në pamjen e këngëtares. Rozana nuk ka zgjedhur ta injorojë komentin. Përkundrazi, ajo ka rikthyer në vëmendje një koment të së njëjtës ndjekëse, të bërë rreth gjashtë vite më parë, duke lënë të kuptohet se kritikat ndaj saj nuk janë diçka e re.

Këngëtarja më pas i është përgjigjur drejtpërdrejt, duke i sugjeruar që kohën që harxhon duke e kritikuar, ta përdorë për t’i bërë një kompliment një gruaje që, sipas saj, e meriton më shumë vëmendjen. Replika e Rozanës ka tërhequr vëmendje në rrjet, teksa këngëtarja duket se ka zgjedhur t’u përgjigjet pa doreza komenteve për pamjen dhe ndërhyrjet estetike.