Këngëtari Erik Lloshi ka rrëfyer një situatë tejet të pakëndshme që ka përjetuar pas ndarjes nga jeta të mikut të tij, artistit të njohur Shpat Kasapi, duke u shprehur i revoltuar ndaj disa reagimeve që i ka konsideruar të shëmtuara dhe mungesë totale ndjeshmërie.

Në një intervistë së fundmi në një podcast, Lloshi tregoi se pas humbjes së papritur të Shpat Kasapit në moshën 40-vjeçare, ai ishte ftuar në një emision televiziv për ta kujtuar dhe nderuar figurën e tij. Gjatë asaj daljeje, emocioni e kishte pushtuar dhe nuk kishte mundur t’i frenonte lotët.

Por ajo që e ka indinjuar më shumë artistin ka ndodhur pas kamerave. Sipas tij, disa komente që i janë bërë kanë qenë jashtë çdo norme njerëzore.

“Pas emisionit kam dëgjuar komente si: ‘Sa bukur qaje’, madje më kanë ardhur edhe ftesa të tjera që ‘të qaj prapë’ për Shpatin nga një gazetar. I thashë që do e bëj kur të vdesësh ti..”, ka treguar Lloshi.

Këto fjalë e kanë revoltuar thellësisht këngëtarin, i cili ka theksuar se është ndjerë i fyer nga mënyra se si një dhimbje reale dhe një humbje e madhe personale mund të shndërrohen në spektakël.

Ai ka ngritur edhe një kritikë të fortë ndaj mënyrës se si disa media dhe individë trajtojnë tragjeditë, duke theksuar se humbja e një miku nuk mund të përdoret për sensacion apo klikime.