I ftuar në studion e “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë boksieri i njohur Nelson Hysa, kampion i Shqipërisë në peshat e rënda. Prej vitesh na ka bërë krenarë me arritjet e tij në këtë sport, Nelson Hysa ka folur më shumë në këtë intervistë për sukseset e tij, fillimet e karrierës, procesin e përgatitjes për ndeshjet e jo vetëm…
Pjesë nga intervista:
Sa fort godet Nelson Hysa?
Nelson Hysa godet aq fort, sa i përmbledh të gjitha brenda, gjithë ato ditë stërvitje, dashurinë për këtë sport, dashurinë që të bësh histori, atë që po bëj deri tani dhe atë që të lë diçka në histori për mua, për familjen time dhe të mos kem asnjëherë humbje, kjo shpresoj që të shkojë kështu.
A ka momente kur godet kundërshtarin dhe të dhimbset?
Asnjëherë. Jemi në të njëjtën pozitë, edhe ai do atë gjë për mua. Madje them ‘shyqyr që i rashë’ (qesh).
Ka pasur momente që kundështarët e tu mund të kenë përfunduar në urgjencë pas ndeshjes?
Çdo knockout ka nevojë për kontroll, sapo ulen nga ringu i merr mjeku.
A mund ta quajmë boksin si sport ekstrem?
Nuk është sport ekstrem, është sport i sakrificave të mëdha, sport i disiplinës së madhe, sport i stërvitjes së madhe. Nëse ti i vendos vetes një objektiv, që do stërvitesh e për 12 raunde të jesh më i mirë se kundërshtari, duhet të stërvitesh për të qenë më lart se ai.

