Këngëtari i famshëm, Ed Sheeran, ka shtuar edhe një pasuri tjetër të paluajtshme në koleksionin e tij mbresëlënës. 34-vjeçari ka blerë një apartament luksoz në Brooklyn, Nju Jork, me vlerë rreth 9 milionë paund (mbi 10 milionë euro), raporton “Daily Mail”.
Apartamenti ndodhet në një kompleks modern buzë detit dhe ka një sipërfaqe prej rreth 315 metrash katrorë, duke ofruar luks të plotë: dy palestra, recepsion 24-orësh dhe garazh me karikues për makina elektrike.
Një detaj interesant është se fqinj i tij në këtë ndërtesë është reperi i njohur amerikan, Kendrick Lamar.
Sheeran dhe bashkëshortja e tij Cherry Seaborn, me të cilën ka dy vajza – Lyra (4 vjeç) dhe Jupiter (2 vjeç) – kishin jetuar prej kohësh me qira në të njëjtën ndërtesë, duke paguar 25 mijë paund në muaj.
Blerja është kryer përmes një kompanie të tyre private dhe, sipas dokumenteve në Nju Jork, është paguar plotësisht në para, pa kredi, duke u sjellë edhe përfitime fiskale për të ardhmen.
Këngëtari britanik, pasuria e të cilit llogaritet mbi 300 milionë paund, zotëron tashmë të paktën 27 prona vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Këto përfshijnë një rezidencë prej 20 milionë paund në Notting Hill, disa apartamente në zonat më elitare të Londrës si Covent Garden, Holland Park dhe Whitechapel, si dhe një pronë të madhe në Suffolk, të njohur nga vendasit si “Sheeranville”.
Ai ka gjithashtu një vilë me vreshta në Itali dhe restorantin e tij privat “Bertie Blossoms” në Londër.