Një nga emrat më të mëdhenj të kinematografisë amerikane, Robert Redford, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Përveç suksesit të jashtëzakonshëm në film, ai ka lënë pas një pasuri të konsiderueshme që vlerësohet rreth 170 milionë euro.
Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare si aktor, regjisor dhe producent, Redford fitoi miliona dollarë nga projekte të mëdha filmike. Vetëm nga filmi “The Last Castle” (2001), ai përfitoi një pagë rekord prej 11 milionë dollarësh. Më herët kishte marrë 500 mijë dollarë për “The Sting” (1973), 2 milionë për “A Bridge Too Far” (1977), dhe 4 milionë për “Indecent Proposal” (1993).
Mediat e huaja shkruajnë se pjesë e rëndësishme e pasurisë së tij ishin investimet në pasuri të paluajtshme. 89-vjeçari zotëronte një portofol mbresëlënës, përfshirë një pronë prej 1,800 akrash në Utah, pjesërisht e mbrojtur për ruajtjen e natyrës. Ai kishte gjithashtu një fermë pranë resortit të tij të famshëm me emrin “Sundance” dhe një shtëpi buzë ujit në Tiburon, Kaliforni, që u shit në fund të vitit 2024 për 4.65 milionë dollarë.
Aktori i famshëm kishte zotëruar gjithashtu prona në Nju Jork, Aspen, Malibu dhe Santa Fe. Aktivitetet e tij në biznes, veçanërisht përmes projektit “Sundance”, e bënë atë jo vetëm ikonë të filmit, por edhe një sipërmarrës të suksesshëm.