Besimi shoqëror, aftësia për t’i besuar “shumicës së njerëzve”, konsiderohet një nga elementët kyç që mban të lidhura komunitetet, forcon institucionet dhe nxit zhvillimin ekonomik.
Të dhënat më të fundit nga Integrated Values Surveys, të publikuara në vitin 2024 dhe të mbledhura gjatë vitit 2022, rendisin 90 ekonomi botërore sipas nivelit të besimit që qytetarët shprehin ndaj njëri-tjetrit. Vendet nordike kryesojnë bindshëm listën.
Danimarka renditet e para, me 74% të të rriturve që deklarojnë se “shumica e njerëzve janë të besueshëm”, e ndjekur nga Norvegjia (72%) dhe Finlanda (68%).
Suedia dhe Islanda plotësojnë pesëshen e vendeve me nivelin më të lartë të besimit.
Kina është i vetmi vend jo-perëndimor në dhjetëshen e parë, duke u renditur e katërta me 63%.
Në anën tjetër të renditjes, tabloja është shumë më pak optimiste, veçanërisht për Shqipërinë.
Shqipëria, e fundit nga 90 vende: vetëm 3% i besojnë të tjerëve
Sipas sondazhit, Shqipëria renditet e 90-ta nga 90 vende, me një nivel besimi prej vetëm 3%, duke u pozicionuar kështu në vendin e fundit global. Kjo tregon se shqiptarët kanë një prej niveleve më të ulëta të besimit shoqëror në botë.
Ekspertët e lidhin këtë rezultat me faktorë të tillë si dobësia historike e institucioneve publike, polarizimi politik, përhapja e informalitetit dhe pasiguria ekonomike, elementë që e bëjnë të vështirë ndërtimin e kapitalit social.
Në një klimë me besim kaq të ulët, edhe bashkëpunimi midis individëve, funksionimi i institucioneve, si dhe gatishmëria për angazhim qytetar priren të jenë shumë më të dobëta.
Ndërsa vendet nordike shfrytëzojnë nivele të larta besimi për të mbështetur ekonomitë dhe politikat e tyre sociale, sfida e Shqipërisë mbetet rindërtimi i këtij kapitali themelor shoqëror, një proces i ngadaltë, por i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm.
10 vendet me nivelin më të lartë të besimit shoqëror:
Danimarka – 74%
Norvegjia – 72%
Finlanda – 68%
Kina – 63%
Suedia – 63%
Islanda – 62%
Zvicra – 59%
Holanda – 57%
Zelanda e Re – 57%
Austria – 50%
