Samsung i është kundërpërgjigjur padisë së Dua Lipës, e cila kërkon të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim, duke i kërkuar gjykatës që ta rrëzojë çështjen.
Këngëtarja britaniko-shqiptare e kishte paditur gjigantin teknologjik në maj, duke e akuzuar se kishte përdorur pa leje një fotografi të saj në paketimin e televizorëve Samsung të shitur në SHBA.
Në dokumentet e reja të paraqitura në gjykatë, avokatët e Samsung argumentojnë se përdorimi i fotografisë nuk krijonte përshtypjen se Dua Lipa kishte miratuar ose promovuar televizorët.

Sipas kompanisë, fotografia ishte pjesë e përmbajtjes së disponueshme përmes shërbimit Samsung TV Plus dhe ishte përdorur në paketim për të ilustruar përmbajtjen që mund të gjendej në televizor.
Fotografitë thjesht paraqesin ndërfaqen e televizorit dhe ilustrojnë aplikacionet dhe një shembull të përmbajtjes së disponueshme
-argumentojnë avokatët e kompanisë.
Padia e Dua Lipës lidhet me një fotografi të realizuar backstage në festivalin Austin City Limits në vitin 2024. Sipas padisë, këngëtarja zotëron të drejtat e autorit mbi imazhin dhe nuk kishte dhënë leje që ai të përdorej për të promovuar produktet e Samsung.
Ekipi i saj ligjor pretendon se fotografia u shfaq në pjesën e jashtme të kutive të televizorëve dhe se përdorimi i saj mund të krijonte përshtypjen e rreme se Dua Lipa ishte në një marrëdhënie komerciale me Samsung.
Lipa kërkon të paktën 15 milionë dollarë, duke e akuzuar kompaninë për shkelje të të drejtave të autorit, markës tregtare dhe të drejtës së saj mbi imazhin.
Samsung kishte deklaruar edhe më herët se fotografia ishte siguruar nga një partner i jashtëm i përmbajtjes, i cili i kishte garantuar kompanisë se kishte marrë lejet e nevojshme, përfshirë edhe përdorimin në kutitë e produkteve.
Për këtë arsye, Samsung ka mohuar se ka pasur qëllim ta përdorte imazhin e këngëtares në mënyrë të paligjshme dhe ka thënë se ka respekt të madh për të drejtat e pronësisë intelektuale të artistëve. Kompania gjithashtu ka deklaruar se mbetet e hapur për një zgjidhje me ekipin e Lipës.
Kërkesa e Samsung për rrëzimin e padisë nuk do të thotë se çështja është mbyllur. Tani i takon gjykatës të vendosë nëse pretendimet e Dua Lipës do të vazhdojnë të shqyrtohen.
Përplasja ligjore është kthyer kështu në një betejë të rëndësishme rreth përdorimit të imazhit të një artisti në marketing dhe kufijve të përgjegjësisë së kompanive kur përmbajtja sigurohet përmes partnerëve të jashtëm.
