Sandra Bullock thotë se sot ndihet më e lumtur se kurrë dhe se pas një periudhe të vështirë në jetën e saj ka mësuar t’i shohë gjërat me më shumë dashuri dhe optimizëm.

Aktorja fituese e çmimit Oscar foli për jetën e saj personale gjatë një interviste në podcastin “SmartLess” të SiriusXM, ku ishte e ftuar për të promovuar vazhdimin e ardhshëm të filmit “Practical Magic”, ku interpreton së bashku me Nicole Kidman.

Gjatë bisedës, Bullock foli edhe për humbjen e partnerit të saj, Brian Randall, i cili u nda nga jeta në gusht të vitit 2023, në moshën 57-vjeçare, pas një beteje trevjeçare me sklerozën laterale amiotrofike (ALS).

Aktorja tha se përvoja e dhimbshme e humbjes së Randall e bëri të reflektojë thellë mbi jetën dhe mbi veten.

“Motra ime më dhuroi një kuti të bukur kallaji për ditëlindjen time dhe mbi të ishte një citat nga Leonardo da Vinci, i cili kishte thënë rreth moshës 87-vjeçare ‘Unë ende po mësoj’. Dhe mendova: ‘Ah, kaq është’. Kjo është arsyeja pse, mendoj, ndihem kaq e lumtur brenda”, tregoi Bullock.


Ajo shtoi se sot mund të zemërohet apo të mërzitet për gjëra të ndryshme, por në të njëjtën kohë ndihet e lumtur në një mënyrë që nuk e kishte përjetuar më parë.

“Jam shumë e lumtur dhe ndihem si fëmijë për herë të parë në jetën time, pasi shoh gjëra që i kam parë një milion herë më parë”, u shpreh aktorja.