Në çdo histori të madhe lidershipi, është dikush që mban themelet e forta — besnike, e fuqishme dhe e pazëvendësueshme për frymën që përcjell në punë. Për familjen më me ndikim në median shqiptare, kjo është Sara Hoxha. Në moshën 29-vjeçare, Sara është konsoliduar si krahu i djathtë ideal: producente vizionare e Big Brother VIP Albania, aksionere në një prej perandorive më të mëdha mediatike të vendit dhe mbështetësja kryesore e motrës së saj, CEO-s që udhëheq ballëhapur. Siç pëlqen ta thotë vetë Sara: “Është njesh për të qenë dysh”. Në këtë rrëfim të rrallë dhe të sinqertë, ajo ndan me ne ndjesitë e ndërtimit të një trashëgimie nga prapaskenat, mënyrën sesi dhimbja është kthyer në forcë, dhe fuqinë e heshtur, por të pathyeshme, të të qenit gjithmonë ajo ku mund të mbështetesh.

Në numrin më të ri të revistës Newsbomb, vëmendja i është kushtuar një prej figurave më të përfolura të ekranit dhe prapaskenës televizive në Shqipëri – producentes së njohur të Top Channel, Sara Hoxha. Në një intervistë ekskluzive dhe të gjatë, Sara hap zemrën në një formë kaq të drejtpërdrejtë, duke folur pa filtra për jetën e saj personale, familjen, sfidat dhe arritjet në karrierë, si dhe vizionin që ka për të ardhmen. Një rrëfim i sinqertë që sjell më afër figurën e saj prej lidershipi në produktet e suksesshme të Top Media.
Sara Hoxha ndalet me ndjeshmëri te jeta e saj familjare, një pjesë thelbësore e përditshmërisë së saj. Ajo rrëfen për rolin e saj si nënë dhe grua, duke treguar se pavarësisht ritmit intensiv të punës, familja mbetet prioriteti i saj i parë.

E pyetur nga gazetarja Luela Myftari se kur e kuptoi që ëndrra e të atit, e “Tanit të Topit” ishte dhe ëndrra e saj, Sara ka treguar se nuk pati një moment të vetëm, një datë apo një ditë ku tha “kjo është edhe ëndrra ime”.
Fillimisht, ajo ndjeu vetëm nevojën për të qenë pranë familjes, për të mbrojtur me përkushtim atë që i ati kishte ngritur me shumë mund. Por dita-ditës, pa e kuptuar, përgjegjësia u kthye në pasion. Ajo që nisi si një detyrë për t’u përmbushur, u bë një dashuri që nuk kishte më nevojë për arsye. E kuptoi se ëndrra e babait nuk ishte thjesht ndërtimi i një televizioni, por krijimi i një rruge të re për të folur, për të menduar, për të ndryshuar vendin.

“Nuk pati një moment të vetëm, një datë apo një ditë ku thashë “kjo është edhe ëndrra ime”. Ishte më shumë një proces i heshtur, i natyrshëm, i ndërtuar me hapa të vegjël por të sigurt. Fillimisht doja vetëm të ndihmoja familjen, të isha pranë Lorit, të ruaja me përkushtim atë që babai ynë kishte ndërtuar. Por me kalimin e kohës e ndjeva që kjo nuk ishte më thjesht një përgjegjësi që më takonte, por një pasion që më përkiste. Ëndrra e babait tim nuk ishte thjesht të ndërtonte një televizion, por të krijonte një mënyrë të re të të menduarit dhe të të treguarit në Shqipëri”, thotë Sara, e cila sot që është në rrugën e suksesit duke ndjekur hapat e së atit, e vetmja gjë që do të dëshironte nga ai do të ishte një përqafim i ngrohtë, si ai që vetëm babai mund t’i japë vajzës së tij për t’i treguar që “bravo vogëlushja ime, ja dole”.

“Më mungon aq shumë, dhe boshllëku në zemrën time është aq i madh sa asgjë nuk do ta zëvëndësonte përqafimin e tij”, thotë Sara mes të tjerash. Madje, tani që Big Brother ka përfunduar, ajo ka treguar se edicioni i katërt i cili u finalizua me sukses ishte i jashtëzakonshëm. E kjo, jo vetëm jo vetëm në përmasa produksioni, por në përmasa njerëzore.
“Big Brother VIP” këtë vit nuk ka qenë thjesht një spektakël argëtues, ka qenë një pasqyrë e realitetit shqiptar, një platformë ku janë rrëfyer histori që ndoshta në shoqërinë tonë ende trajtohen me turp ose heshtje. Ka pasur rrëfime ku është folur për përvoja të dhimbshme, për abuzime seksuale, për momente të jetës që kërkojnë shumë kurajo për t’u ndarë me publikun. Dhe është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe për mua si producente, të krijoj një hapësirë ku këto zëra dëgjohen pa paragjykim, me respekt dhe mbështetje.

Por, një nga mbështetësit e saj kryesore, i cili e ka ndihmuar në çdo hap që ka hedhur për të shndritur dhe për të bërë më të mirën e saj, ka qenë padyshim Ledioni, shoku i saj i jetës, njeriu i zemrës dhe babai i tre engjëjve të saj.
Dy vjet punë intensive në Big Brother me Ledionin kanë qenë një rrugëtim i bukur, por edhe sfidues. Nuk është gjithmonë e lehtë të ndash punën dhe jetën me të njëjtin person, por kam mësuar jashtëzakonisht shumë prej tij, çdo ditë, dhe ndihem me fat që kam pasur mundësinë të jem në një proces krijues përkrah dikujt që është i saktë, vizionar dhe i përkushtuar. Nuk ka dy si Ledioni dhe këtë e them me gjithë bindje si dikush që ka kaluar 11 vjet pranë tij, duke u rritur së bashku, si personalisht, ashtu edhe profesionalisht.

Dhe lutja e saj nuk kërkon pasuri, famë apo sukses, por shëndetin e njerëzve të saj më të dashur. Lutjet e Sarës shkojnë për mamin e saj, Vjollcën, e cila ka mbajtur mbi supe të gjithë sakrificën, gjithashtu edhe për fëmijët e saj të cilët dëshiron që t’i mbrojë nga çdo dhimbje e botës, sa më gjatë të mundet.
Çdo ditë, cdo festë, unë lutem për familjen time. Lutem për shëndetin e tyre. Lutem për mamin tim, e cila ka sakrifikuar shumë për ne dhe lutem gjithashtu që fëmijët e mi të njihen me dhimbjen ose humbjen sa më vonë, në jetë. Të kem mundësi të jem pranë tyre dhe t’i bëj krenarë.
Burimi: Newsbomb
Gazetarja: Luela Myftari