Kisha e “Scientology”, që mendohet se ka qenë shkaku kryesor i divorcit mes aktorit të Hollivudit, Tom Cruise dhe Katie Holmes, ka nxjerrë së fundi një pretendim të çuditshëm lidhur me ndjekësin e saj të devotshëm: Ajo beson se divi i kinemasë ka aftësi telekinetike dhe telepatike. 50-vjeçari Tom Cruise është një nga ndjekësit më të famshëm të këtij sekti dhe një investigim retrospektiv i revistës ‘Rolling Stone’ në vitin 2006 zbuloi se aktori kishte arritur një nivel, që konsiderohet i lartë në sektin e ‘Scientology’, i quajtur ‘Operating Thetan’, pra stadi kur njeriu është në gjendje të kontrollojë dhe të ketë ndikim mbi mendimet, jetën, materien, energjinë, kohën dhe hapësirën.
Tom, që mendohet të jetë pikërisht në këtë stad të përparuar të besimit, e ka praktikuar këtë sekt prej më se 30 vjetësh dhe ai, sipas “Scientology” ka tashmë aftësi që të kontrollojë jo vetëm sjelljet dhe mendjen e njerëzve, por edhe të kafshëve. Sipas specialistëve të këtij sekti, stadi në të cilin mendohet se ka arritur aktori është stadi i lirisë totale, kur njeriu lirohet nga universi fizik dhe është në gjendje të kontrollojë materien, energjinë, hapësirën dhe kohën.
11 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)