Ylli i muzikës pop, Madonna, thuhet se është fejuar fshehurazi me të dashurin e saj 29-vjeçar, futbollistin Akeem Morris. Sipas burimeve pranë këngëtares, këngëtarja është më e lumtur se sa ka qenë në dekada dhe gëzon një marrëdhënie që i sjell paqe dhe stabilitet. Çifti u takua në vitin 2022 gjatë një xhirimi për revistën Paper dhe e filluan lidhjen e tyre menjëherë pas ndarjes së Madonnas me boksierin Joshua Popper.

Ata u shfaqën për herë të parë në publik këtë verë, ndërsa spekulimet për fejesë filluan në janar pasi këngëtarja ndau foto në rrjetet sociale me një unazë diamanti. Dyshja festuan së fundmi së bashku ditëlindjen e 67-të të artistes në Toskanë, me gjashtë fëmijët e saj. Sipas burimeve, Madonna tashmë po shqyrton vendet e dasmës, duke përfshirë Italinë, Portugalinë ose pronën e saj në East Hampton.

“Ajo nuk dëshiron një spektakël të madh, por një festë intime me njerëzit që i do më shumë”, tha një burim. Mediat e huaja vënë në dukje gjithashtu se Madonna po përgatit një marrëveshje paramartesore dhe Akeem nuk ka problem me këtë. Edhe pse data e dasmës nuk dihet ende, ka zëra se ceremonia mund të zhvillohet deri në fund të vitit.

Ndërkaq, Madonna ka folur për herë të parë për periudhën më të errët të jetës së saj, kur në vitin 2023 u përball me një infeksion bakterial që i rrezikoi jetën dhe e çoi me urgjencë në spital. Këngëtarja tregoi se kaloi katër ditë pa ndjenja në kujdes intensiv dhe u mbajt me ventilator. Gjendja e saj ishte aq serioze, saqë për pak humbi jetën, një detaj që deri tani nuk ishte bërë i ditur për publikun. Pas daljes nga spitali, ajo përjetoi një periudhë të gjatë rikuperimi, duke pranuar se nuk kishte as forcë për t’u ngritur nga shtrati.