Një seri vdekjesh dhe zhdukjesh të pashpjeguara mes shkencëtarëve dhe punonjësve të laboratorëve në Shtetet e Bashkuara po ngre gjithnjë e më shumë shqetësime. Rasti i parë lidhet me shkencëtarin e NASA, Frank Maiwald, i cili vdiq në vitin 2024 në Los Angeles në moshën 61-vjeçare. Shkaku i vdekjes nuk u bë kurrë publik dhe nuk u krye as autopsi, ndërsa agjencia nuk ka dhënë sqarime zyrtare.

Maiwald ishte pjesë e laboratorit JPL dhe kishte punuar në projekte të avancuara për eksplorimin e hapësirës dhe kërkimin e jetës në planetë të tjerë. Ndërkohë, në laboratorin kombëtar të “Los Alamos” janë raportuar disa zhdukje të dyshimta.

Anthony Chavez, 79 vjeç, u zhduk në maj 2025 pa marrë me vete sende personale dhe ende nuk është gjetur. Një rast i ngjashëm është ai i Melissa Casias, e cila u zhduk pak kohë më vonë, ndërsa telefonat e saj u gjetën të fshirë në shtëpi.

Lista vazhdon me zhdukjen e një tjetër punonjëseje të NASA-s, Monica Reza, si dhe të një gjenerali në pension, William Neil McCasland, të dy të lidhur me projekte të ndjeshme teknologjike. Po ashtu janë raportuar edhe vrasje, si ajo e astrofizikanit Carl Grillmair, i qëlluar në shtëpinë e tij, si dhe vdekjet e dy studiuesve të tjerë që punonin në fusha të rëndësishme si energjia bërthamore dhe trajtimet për kancerin.

Ekspertët e sigurisë sugjerojnë se këto raste mund të lidhen me aktivitete spiunazhi, pasi edhe punonjësit jo drejtpërdrejt të përfshirë në kërkime sekrete mund të kenë akses në informacione të ndjeshme. Autoritetet nuk kanë konfirmuar një lidhje zyrtare mes rasteve, por numri në rritje i incidenteve të tilla po shton dyshimet dhe kërkesat për hetime më të thelluara.