Një rrëfim i papritur ka tronditur jetën e Cher, e cila thuhet se ka mbetur pa fjalë pasi mësoi se mund të jetë gjyshe e një vajze 15-vjeçare, një sekret që, sipas burimeve, ishte mbajtur i fshehtë për vite me radhë.

Sipas pretendimeve të ish-modeles Kayti Edwards, ajo i ka treguar këngëtares legjendare gjatë një telefonate emocionale vitin e kaluar se vajza e saj, Ever, është fryt i një lidhjeje të shkurtër me djalin e Cher, Elijah Allman, që daton në vitin 2010.

Kayti, e cila është gjithashtu mbesa e aktores së famshme Julie Andrews, pretendon se Elijah ka qenë në dijeni për ekzistencën e vajzës dhe e ka vizituar herë pas here në mënyrë diskrete, por nuk ka dashur të marrë rolin e një prindi aktiv.

Sekreti, sipas saj, nisi të dalë në sipërfaqe në vitin 2021, kur Elijah përjetoi një mbidozë dhe i rrëfeu bashkëshortes së tij të atëhershme, Marieangela King, se kishte një fëmijë.

Që nga ajo kohë, thashethemet qarkulluan brenda familjes, derisa vetë Cher thuhet se vendosi të kërkonte të vërtetën. Kur mori konfirmimin, reagimi i saj ishte i menjëhershëm dhe emocional.

Ajo kishte dëgjuar diçka më parë, por nuk e dinte nëse ishte e vërtetë

-ka deklaruar Kayti për The Sun.

Kur e kuptoi, mbeti pa fjalë dhe tha: ‘Oh Zoti im, më në fund jam gjyshe.’

Ky zhvillim vjen në një moment të vështirë për familjen, pasi vetëm pak kohë më parë, Cher i është drejtuar gjykatës për të kërkuar caktimin e një kujdestari të përkohshëm për djalin e saj, mes problemeve të vazhdueshme me financat, ligjin dhe varësinë nga substancat.