Aktorja e famshme, Catherine Zeta-Jones, vazhdon të mahnisë publikun me pamjen e saj rinore në moshën 56-vjeçare, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi “sekretin” e saj. Dhe duket se përgjigjja qëndron te një stil jetese i balancuar, por edhe surprizues në fundjavë.

Në një rrëfim të rrallë për jetën familjare me bashkëshortin Michael Douglas dhe fëmijët e tyre, aktorja ka zbuluar se gjatë javës i përmbahet një diete të shëndetshme dhe të rregullt, ndërsa fundjavat i dedikon “kënaqësive pa kufij”.

Çdo mëngjes për të nis herët, në një shtëpi të qetë, ku nuk mungon kafeja e përgatitur me French press.

Mëngjesi i saj ndryshon sipas stinës: në dimër zgjedh tërshërë me fruta dhe sheqer kaf, ndërsa në pranverë dhe verë kalon në kos të lehtë me granola dhe manaferra.

Në mesditë, ajo i kushton rëndësi vakteve familjare, një zakon që, sipas saj, lidhet me kulturën europiane. Drekat janë të lehta: sallata të shoqëruara me pulë, peshk ose perime të pjekura.

Por rutina ndryshon krejtësisht në fundjavë. Aty, aktorja nuk i reziston një mëngjesi klasik britanik me proshutë, salsiçe, vezë dhe fasule, apo edhe french toast me shurup panje, një kombinim që bashkon shijet britanike dhe amerikane të familjes së saj.

Në mbrëmje, darka zakonisht përfshin një sallatë me mollë dhe avokado, mish fileto dhe perime, ndërsa ëmbëlsirat mbeten “dobësia” e saj, veçanërisht akullorja dhe byreku me mollë i përgatitur sipas recetës së nënës.

Mes disiplinës dhe kënaqësisë, duket se Catherine Zeta-Jones ka gjetur formulën perfekte për të ruajtur jo vetëm pamjen, por edhe energjinë dhe lumturinë në përditshmëri.