Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Dua Lipa, po bën shumë më tepër sesa të dhurojë performanca mahnitëse gjatë turneut të saj “Radical Optimism”.
Ylli i muzikës po përdor zërin dhe famën për të ndërgjegjësuar publikun mbi shëndetin seksual dhe parandalimin e HIV-it.
Në një ndalesë të veçantë në The Abbey, në zemër të Hollywood-it Perëndimor, këngëtarja festoi Ditën e Parë Kombëtare të PrEP së bashku me organizatën Mistr, e cila ofron qasje falas ose të përballueshme në PrEP – një trajtim parandalues që mbron trupin nga HIV-i.
“Mendoj se seksi duhet të jetë argëtues dhe duhet të jetë i sigurt”, deklaroi Dua Lipa gjatë eventit, duke shtuar:
“Kënaqësia dhe mbrojtja nuk janë të kundërta, përkundrazi – ato shkojnë dorë për dore”.
Pasi performoi hitet “New Rules” dhe “Don’t Start Now” përkrah trupës së saj të baletit, Dua Lipa u bashkua në skenë me drag queens për një interpretim festiv të “Houdini”, për të shënuar arritjen e Mistr: 10,000 persona që kanë nisur përdorimin e PrEP në SHBA.
Ndërkohë në një intervistë për “Rolling Stone”, ylli i muzikës shtoi:
“Ka ende shumë stigmë rreth HIV-it dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Nëse mund ta çstigmatizojmë kujdesin shëndetësor dhe ta bëjmë më të hapur, atëherë ka shpresë që HIV-i të zhduket krejtësisht”.
Lipa theksoi rëndësinë e vetëkujdesit si një akt dashurie ndaj vetes:
“Shpresoj që kujdesi për veten të mos konsiderohet më turp. Mendoj se kjo, në vetvete, është shumë seksi”.
Pjesëmarrja e saj në këtë iniciativë vjen si rezultat i bashkëpunimit me Tristan Schukraft, themelues dhe CEO i Mistr, një figurë kyçe në përpjekjen për të bërë PrEP-in të aksesueshëm për të gjithë, me apo pa sigurim shëndetësor.
“Ishte një kauzë e jashtëzakonshme. Ajo që po bën Mistr është e domosdoshme, sidomos në Amerikë”, tha Lipa duke e përfunduar: “Jam me fat që më ftuat. Isha e lumtur që ndodhesha në qytet”.